
Kryeministri britanik Keir Starmer ka mbërritur në Tiranë për një vizitë zyrtare, ku është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama, pas takimit të zhvilluar me presidentin Bajram Begaj.
Vizita e parë e Starmer në Shqipëri shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në deklaratat për mediat, Rama e cilësoi vizitën si një hap të ri për forcimin e partneritetit strategjik mes Tiranës dhe Londrës.
Gjatë qëndrimit të tij, Starmer pritet të shpallë masa konkrete për frenimin e rikthimit të shtetasve shqiptarë të dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe të prezantojë nisma të reja për luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Një nga pikat kryesore të vizitës është dhurimi i dy pajisjeve të specializuara për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, që do të ndihmojnë autoritetet shqiptare në parandalimin e përdorimit të pasaportave të rreme.
Gjithashtu, pritet njoftimi për zgjerimin e grupit të përbashkët të punës për çështjet e migracionit, duke përfshirë në këtë bashkëpunim edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, për të krijuar një qasje të përbashkët rajonale ndaj sfidës së emigracionit të paligjshëm dhe sigurisë.