Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu për incidentin në Kashar: Autorët janë njerëz të bandave, SPAK të hetojë



Koordinatori i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë të përbashkët me Belind Këlliçin, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një qendër votimi në zonën e Kasharit, ku u raportua për dhunë ndaj sekretarit të KZAZ-së.

Balliu e cilësoi ngjarjen si një krim zgjedhor dhe kërkoi ndërhyrjen e SPAK për të hetuar personat përgjegjës, të cilët sipas tij, kanë hyrë në ambientet e votimit në mënyrë të paligjshme, duke shmangur kontrollin policor.

“Në qendrën e votimit në Kashar ka pasur punonjës policie jashtë godinës, por është ushtruar presion ndaj vëzhguesve dhe të gjithë procesit zgjedhor. Këta persona, pa asnjë autorizim dhe pa qenë pjesë e mediave, kanë kaluar postbllokun e policisë dhe janë futur brenda. Janë njerëz të bandave,” u shpreh Balliu.

Ai shtoi se kjo ngjarje është një tregues i qartë i asaj që po prodhon pushteti menjëherë pas fitores.

“Çdo shqiptar mund të shikojë se çfarë ka prodhuar ky pushtet në ditët e para të tij – dhunë në qendrat e votimit dhe në qendrat e numërimit,” deklaroi Balliu.

Partia Demokratike ka paralajmëruar ndjekje ligjore për rastin dhe i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të mos neglizhojnë incidentet që minojnë integritetin e procesit zgjedhor.