
Kryeministri Edi Rama, në një tjetër deklaratë pas fitores në zgjedhjet e 11 majit, e cilësoi rezultatin si një sukses të parashikuar, që sipas tij reflekton besimin historik të qytetarëve tek Partia Socialiste dhe rruga europiane e Shqipërisë.
“Kjo është një fitore me notën 10 që e kisha parandjerë dhe parashikuar. Ky popull nuk do ta ndryshojë më qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që do,” u shpreh Rama, duke iu referuar krizës së vazhdueshme në radhët e kundërshtarëve politikë.
Ai falënderoi drejtuesit e qarqeve dhe ekipin e Partisë Socialiste për angazhimin gjatë katër viteve të fundit dhe në fushatën 30-ditore që çoi në atë që e quajti “rezultati historik i 11 majit”.
“Koha do tregojë nëse kjo fitore është rezultat i një përballjeje të vështirë, por të domosdoshme, në kushtet ku na takoi ne të ndryshojmë historinë,” deklaroi Rama, duke shtuar se PS u pa nga qytetarët si forca që mishëron realisht shpresën për një Shqipëri pjesë të Bashkimit Europian.
Në kontrast, ai kritikoi opozitën tradicionale për retorikën boshe dhe mungesën e alternativës reale: “Të tjerët u munduan të na ndjekin me sharje dhe premtime ulëritëse, por mbetën prapa.”
Megjithatë, Rama shprehu respekt për partitë e vogla opozitare që, sipas tij, bënë beteja të vështira dhe mbijetuan përballë presioneve politike. Ai i inkurajoi të mos ndjekin rrugën e vjetër të opozitës së falimentuar, por të ndërtojnë me durim alternativa të qëndrueshme.
Në përmbyllje, Rama tha se mandati i katërt i PS-së ka një forcë politike të krahasueshme me mandatin e vitit 1992, duke theksuar përgjegjësinë e thellë që ai dhe partia e tij ndiejnë për të çuar vendin përpara.