Vendosni fjalën kyçe....

Kandidatja e Mundësisë në Fier Frida Mavriqi: Vota jonë nuk zhurmoi por peshon rëndë, fillimi i një rrugëtimi


Kandidatja e Partisë Mundësia në qarkun e Fierit Frida Mavriqi, ka falënderuar të gjithë qytetarët që e mbështetën në zgjedhjet e 11 majit.

Në një status falënderimi në Facebook, Mavriqi, shkruan se mbështeësit e saj ishin njerëzit e ndershëm, të arsimuar, që nuk blihen a ndikohen nga lekët e presionet, që nuk e shesin votën e dinjitetin.

Ajo thekson se vota për të dhe Partinë Mundësia nuk bëri shumë zhurmë por peshoi rëndë dhe është votë që do sjellë ndryshimin e vendit.

“Të dashur qytetarë të Fierit, Në këtë garë, unë pata fatin të mbështetem nga një pakicë e rrallë: njerëz të arsimuar, të ndershëm, të painfluencueshëm nga leku, nga presioni apo nga propaganda. Më votuat ju, ata që nuk i gjeni në lista ndihmash, por në biblioteka, në auditore, në biznese të ndershme, në familje që e rrisin bukën me mund. Më votuat ju që nuk shisni as votën, as mendjen, as dinjitetin. Ju që e dini se një vend nuk bëhet me miliona, por me njerëz që mendojnë. Vota për Partinë Mundësia ishte një votë që nuk e blen dot askush. Një votë që peshon shumë më tepër se një thes miell apo një vend pune fiktiv. Ishte një votë që nuk zhurmoi shumë, por peshoi rëndë. Një votë që nuk ka pushtet sot, por ka të ardhme nesër. Ishte pakicë, po. Por ishte pakica që nesër do ndërtojë këtë vend. Pakica që nuk e shet dinjitetin, që nuk ka frikë, që mendon, pyet dhe kërkon llogari. Kjo është pakica për të cilën ia vlen të luftosh. Faleminderit me zemër të gjithëve ju që më votuat. Ju që s’kërkuat favore, por drejtësi. Ju që nuk bletë, por besuat. Ju nuk jeni pak: jeni themeli i asaj Shqipërie që ende nuk ka ardhur, por që do vijë. Me krenari për humbjen më të ndershme që mund të kisha dhe për fillimin e këtij rrugëtimi, Frida Mavriqi.” – shkruan Mavriqi.