Vendosni fjalën kyçe....

Endri Shabani: Problemi nuk është PD-ja, por Berisha


Bashkëthemeluesi i koalicionit Nisma “Shqipëria Bëhet”, Endri Shabani, ka deklaruar se angazhimi i tij politik do të vazhdojë me fokus të veçantë tek të rinjtë dhe barazia e mundësive. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se qëllimi është krijimi i një fronti të përbashkët në Parlament me të rinjtë, për të avancuar nisma dhe komisione që prekin interesat e brezit të ri.

“Ne do të vijojmë betejën për shanse të barabarta dhe për rininë,” tha Shabani, duke theksuar se përplasja e tij politike nuk është me Partinë Demokratike, por me Sali Berishën. “Problemi nuk është PD-ja, por Berisha. Ai ka ngritur një rrjet merimange që e ka bllokuar sistemin.”

Shabani kritikoi gjithashtu nepotizmin dhe ndërhyrjen politike në administratë, duke përmendur se “kur të rinjtë duan të futen në punë, fijet çojnë drejt zyrës së Ramës”.

Sipas tij, nëse Berisha nuk do të kishte qenë pjesë e zgjedhjeve, koalicioni Shqipëria Bëhet mund të kishte siguruar deri në 71 mandate. Megjithatë, ai theksoi nevojën për bashkëpunim më të gjerë, përveç përjashtimeve si Tom Doshi, për të çuar përpara reformat e nevojshme për vendin.

“Nuk merrem me individin, por me politikanin që mban peng sistemin. Me të rinjtë në parlament duhet krijuar një bashkëpunim real për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë,” përfundoi Shabani.