Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi thirrje numëruesve: Mos cenoni votat e kandidatëve në listat e hapura


Kreu i KQZ-së Celibashi u ka kërkuar grupeve të numërimit që të mos prekin votat e kandidatëve të listave të hapura.

Në një shënim në rrjetet sociale, ai thekson se në rastet kur fleta e votimit ka vetëm shenjën për partinë, ato fletë votimi futen në zarge të veçanta.

Celibashi thekson se çdo shkelje në këtë drejtim do konsiderohet përpjekje për manipulimin e rezultatit zgjedhor.

“Për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve.

Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:

Cënimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.

Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.

Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët. Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ.” – shkruan Celibashi.