
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është arritur një “riformatim i plotë” i marrëdhënieve me Kinën, pasi të dy vendet ranë dakord të reduktojnë për 90 ditë tarifat mbi mallrat e njëri-tjetrit.
Ky zhvillim shënon një ulje të tensioneve në luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë dhe është përshëndetur menjëherë nga tregjet financiare amerikane, të cilat kanë shënuar një rritje të ndjeshme.
Sipas raportimit të BBC-së, tregjet amerikane po tregtohen në nivele të ngjashme me ato të fillimit të vitit, duke shënuar një rikuperim të rëndësishëm që nga shpallja e tarifave nga Trump në muajin prill, të cilat ai i quajti “Dita e Çlirimit”.
Tarifat amerikane mbi importet kineze do të bien nga 145% në 30%, ndërsa tarifat kineze ndaj mallrave amerikane do të reduktohen nga 125% në 10%.
Kjo është një ulje më e madhe se sa pritej, megjithëse tarifa 30% mbetet ende e lartë.