
Partia Demokratike e Fierit ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar atë për tentativë të dekurajimit të votuesve me “akuza të rreme” ndaj opozitës. Në një postim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi e cilëson Ballukun si “zëdhënëse të organizatës kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’” dhe shprehet se pretendimet e saj për largimin e komisionerëve të opozitës janë të pavërteta.
Sipas Partisë Demokratike, rastet e denoncuara nga Balluku lidhen me ndalimin e patronazhistëve që kanë tentuar të votojnë në emër të personave të tjerë, ndërkohë që një prej tyre u largua pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të opozitës dhe njoftimit të KZAZ.
Partia Demokratike ka denoncuar gjithashtu se në disa qendra votimi, komisionerët e Partisë Socialiste po mbledhin të dhëna personale të votuesve në një formular të centralizuar, një praktikë që e cilëson të papranueshme dhe kontrolluese. Po ashtu, PD ngriti shqetësimin për praninë e personave të armatosur dhe punonjësve të administratës pranë ose brenda qendrave të votimit, veprim që konsiderohet të jetë i paligjshëm.
“Përmes zëdhënëses së organizatës kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’, Belinda Balluku po tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme ndaj Partisë Demokratike. Nuk ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ajo që ndodhi është mbrojtja e procesit zgjedhor nga votimi i patronazhistëve në emër të votuesve të tjerë. Patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar. Pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të opozitës dhe njoftimit të KZAZ, procesi vazhdon normalisht,” thuhet në deklaratën e PD.
Gjithashtu, PD akuzon Partinë Socialiste për mbledhjen e paligjshme të të dhënave të votuesve dhe thekson se nuk është e lejueshme që punonjës të administratës apo persona të armatosur të qëndrojnë pranë ose brenda qendrave të votimit. Policia, sipas PD, nuk ka ndërhyrë për të marrë masa ndaj këtyre shkeljeve ligjore.
“Ftoj qytetarët e Fierit të mos intimidohen nga këto akte antidemokratike të bandës së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Fier! Sot është dita e qytetarëve dhe çdo votë e tyre vlen!” përfundon reagimi i PD.