Vendosni fjalën kyçe....

Vonesa në procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore në Vlorë, PS kërkon shtyrje të orarit të votimit për shkak të Giro d’Italia


Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka nisur para rreth një ore në Vlorë, te pallati i sporteve, ndërsa në KZAZ 85 shpërndarja ende nuk ka filluar. Këto vonesa janë hasur vetëm në KZAZ-të e Bashkisë së Vlorës.

Në lidhje me zhvillimin e etapës së fundit të “Giro d’Italia” që do të mbahet nesër në këtë qytet, Partia Socialiste ka kërkuar shtyrjen e orarit të votimit, ndërkohë që Partia Demokratike ka qenë kundër kësaj kërkese.

Në këtë proces zgjedhor, 3.7 milionë shtetas shqiptarë janë të ftuar të votojnë për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament. Për herë të parë, diaspora do të ketë mundësinë të votojë, me 245,935 emigrantë shqiptarë të regjistruar për të marrë pjesë. Megjithatë, ka pasur disa problematika lidhur me postimin dhe kthimin e zarfave të votimit nga emigrantët, sidomos në Greqi.

Në këtë proces zgjedhor, janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë për të fituar vendet në Parlament. Çdo subjekt ka dorëzuar një listë prej 186 kandidatësh, nga të cilët 46 janë të renditur në listën e sigurt.