
Koalicioni Euroatlantik ka dërguar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar që t’i vihen në dispozicion materialet filmike të procesit të numërimit pas përfundimit të tij.
Në kërkesën e tij, Koalicioni shpreh angazhimin për të ofruar mbështetje të plotë që, në përputhje me ligjin, të ruhet integriteti i votës dhe vullneti i qytetarëve.
Përveç kësaj, KEA ka dërguar gjithashtu një letër edhe në SPAK, duke kërkuar që të mbikëqyrë këtë proces dhe të ndërhyjë menjëherë nëse ka individë që mund të përpiqen të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve.
Këkesa e plotë e Koalicionit Euroatlantik për KQZ:
Nr: __Prot
Tiranë, më 4/05/2025
Lënda: Kërkesë për vëmendje të shtuar dhe për pajisjen me materialet filmike të numërimit të votave
Drejtuar: z. Ilirjan Celibashi
Komisioner, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
I nderuar z, Komisioner
Në mbështetje të një proces zgjedhor transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, dhe nisur nga problematika e verejtur në zgjedhjet e vitit 2021, ju drejtohemi me kërkesën për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për orientimin e KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit të votave, në mënyrë që leximi i votave të kryhet me saktësi.
Gjithashtu, në shërbim të transparencës, kërkojmë që të merrni të gjitha masat që Koalicioni Euroatlantik të pajiset me materialet filmike të procesit të numërimit nga çdo GNV menjëherë pas përfundimit të këtij procesi.
Koalicioni Euroatlantik është i angazhuar të ofrojë gjithë mbështetjen e tij, që në përputhje me ligjin, të mbrohet integriteti i votës së lirë dhe vullneti i qytetarëve.
Endri Hasa
Kryetar