
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur sot akuza të rënda ndaj Partisë Socialiste, duke deklaruar se blerja e votës është përshkallëzuar që nga muaji mars dhe ka marrë përmasa alarmante, veçanërisht në zonat rurale dhe të varfra të vendit.
Sipas saj, kjo blerje realizohet përmes pagesave të drejtpërdrejta në para, ndihmave ushqimore dhe premtimeve për punësime në administratë.
Ajo theksoi se rrjeti i patronazhistëve është riaktivizuar dhe se mijëra punonjës të administratës publike janë mobilizuar për fushatën elektorale të Partisë Socialiste, shpesh nën presion dhe kundër dëshirës së tyre.
“Është përshkallëzuar blerja e votës që nga marsi. Janë përdorur pagesa në para, ndihma ushqimore, premtime për punësime. Raste të tilla janë më të shpeshta në zonat rurale dhe të varfra,” u shpreh Vokshi.
Deputetja demokrate shtoi gjithashtu se dhjetëra milionë euro janë shpenzuar nga qeveria për tendera të cilët i cilësoi si asfalt elektoral, që sipas saj janë punime pa standarde dhe me qëllime elektorale.
Vokshi tha se këto raste janë denoncuar në SPAK dhe në prokuroritë vendore, duke kërkuar hetim të menjëhershëm.