Vendosni fjalën kyçe....

PSD reagon pas aksionit të SPAK në Shkodër: Dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës


Me urdhër të SPAK, një ditë më parë u ushtruan kontrolle ndaj gjashtë shtetasve dhe në nëntë automjete në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës.

Gjatë operacionit u sekuestruan para në euro e lekë, tollona karburanti, telefona, dokumente dhe lista me emra qytetarësh, ndërsa hetimet për dyshime për krime zgjedhore vijojnë.

Në një reagim zyrtar, Partia Social Demokrate mohoi çdo përfshirje të anëtarëve të saj në këtë çështje, duke i cilësuar lajmet si të pavërteta dhe të qëllimshme për të dëmtuar partinë.

PSD deklaroi se i vetmi person që i është kontrolluar banesa është kreu i saj në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa, ku nuk është gjetur asnjë material i paligjshëm. Partia thekson se mbështet plotësisht hetimet dhe distancohet nga çdo individ i përfshirë në veprime të paligjshme.

Deklarata                                
Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme, për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së në veri të vendit, Partia Socialdemokrate përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës.

Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme.

Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.

PSD-ja nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me askend tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë.

Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese.