Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mbyll fushatën: Diaspora, shpirti i kësaj fushate, 11 Maji përcakton të ardhmen e kombit


Partia Demokratike përmbyll sot fushatën për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa lideri i saj, Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh për diasporën shqiptare, të cilën e konsideroi thelbësore në këtë proces.

Ai u bëri thirrje emigrantëve që të vijnë dhe të votojnë, duke e cilësuar 11 majin si një ditë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë.

Pavarësisht parregullsive të raportuara me postën në dy vende, Berisha u shpreh se kjo nuk duhet t’i dekurajojë votuesit nga jashtë, por përkundrazi t’i motivojë të bëhen pjesë e këtij procesi.

“Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale.

Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij.

11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar.

Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha.

Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit”, tha ai.