Vendosni fjalën kyçe....

Ankimohet tenderi 7.7 mln euro për mirëmbajtjen e fiskalizimit, shkak kriteret e veçanta


Thuajse dy javë nga hapja e procedurës së prokurimit me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve” kjo e fundit është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Referuar ankesës së depozituar pranë këtij institucioni duket se shkak janë bërë kriteret e veçanta që janë përfshirë në dokumentet e procedurës që ka një fond limit mbi 770 milionë lekë apo 7.7 milionë euro për 24 muaj.

Ankimuesi ka përmbledhur një seri ankesash në dokumentin drejtuar KPP të cilat sipas tij lidhen me kritere të veçanta kualifikimi .

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka njoftuar se data e mbylljes së procedurës është 29 maji teksa do të jetë KPP që do të vendosë se çfarë do të ndodhë me ankimimin.

Tenderi për fiskalizimin

Procedura u hap në datë 29 prill dhe dokumentet që shoqërojnë argumentohet se qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit te Menaxhimit te Kontrollit te Faturimit (sistemi i Fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

“Duke garantuar funksionimin e plotë të  sistemit elektronik, në të gjithë komponentet e tij: software dhe hardware.

Ky sistem është i hostuar ne Datacenter-in Qeveritar, pranë Agjencisë Kombëtare te Shoqërisë se Informacionit (AKSHI) dhe ofron shërbimet për rreth 125 mije tatimpagues si dhe për vetë administratën tatimore.

Disponueshmeria e sistemit të fiskalizmit është shume e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizmit si dhe Portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund te pësojnë ndërprerje te shërbimeve për me tepër se disa minuta, ai nuk mund të  tolerojë ndërprerje të planifikuar të shërbimeve për upgrade, update apo modifikime të ndryshme.

Shërbimet e ofruara ndaj tatimpaguesve (fiskalizmi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i faturave, etj) si dhe ndaj administratës tatimore  duhet te jene funksionale 24ore/ne 7 dite” thuhet në dokumente.

Aktualisht ky sistem përdoret nga bizneset, qytetarët ndërkohë që në përdorim të brendshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor