
Katër ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga opozita mbi votën e diasporës, duke i drejtuar një letër urgjente kompanisë postare DHL International (Albania).
Në këtë shkresë, ai kërkon informacion të detajuar për mënyrën e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor për qytetarët shqiptarë që votojnë nga jashtë vendit, me theks të veçantë tek dërgesat në Greqi.
Letra vjen në vazhdën e denoncimeve nga Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila ka ngritur dyshime për parregullsi në trajtimin e postës zgjedhore të diasporës, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit të votimit jashtë territorit shqiptar.
Në shkresën me numër protokolli 4009, Celibashi i drejtohet drejtorit të DHL Albania me një listë pyetjesh të detajuara, për të cilat kërkon përgjigje të shpejtë. Pyetjet përfshijnë:
Strukturat dhe personeli i angazhuar në procesin e shpërndarjes;
Nëse dërgesat janë deleguar palëve të treta dhe natyra e marrëveshjeve përkatëse;
Numri i zgjedhësve që nuk kanë marrë dokumentacionin apo njoftimin;
Arsyet e mosdorëzimit të materialeve zgjedhore;
Dokumentacioni provues për rastet e dorëzimit të dokumenteve në dorë;
Raste të tërheqjes në banesë apo dorëzimit në zyrat e operatorit postar.
Celibashi e cilëson këtë informacion si “thelbësor për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, dhe thekson se përgjigjet duhet të dorëzohen “brenda një afati sa më të shkurtër”, duke nënvizuar rëndësinë e qartësisë dhe transparencës në administrimin e votës së diasporës në një moment kyç të procesit zgjedhor.