
Kandidatja e Partisë Demokratike për Tiranën, Dhurata Çupi, zhvilloi sot takime me qytetarë të kryeqytetit, ku theksoi angazhimin e PD për një ndryshim të thellë në vend, të mbështetur jo në fjalë, por në vepra konkrete.
Në një postim në rrjetet sociale, Çupi ndau pamje nga takimet në terren, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështesin PD-në në zgjedhjet e ardhshme për hir të fëmijëve dhe së ardhmes së vendit.
“Ne premtojmë ndryshim, jo me fjalë, por me vepra. Rritje të menjëhershme të pensioneve minimale dhe fundin e politikave të ndihmës ekonomike që poshtërojnë qytetarët,” u shpreh Çupi.
Ajo ftoi qytetarët të bashkohen me programin e Partisë Demokratike, duke theksuar se ndryshimi nis me pjesëmarrjen dhe votën e çdo qytetari: “Le ta bëjmë ndryshimin, për ju, për fëmijët tuaj, për të ardhmen. Voto Partia Demokratike. Voto Dhurata Çupi Tyli.”
Pjesë e takimeve ishin edhe deputetët Flamur Noka dhe Belind Këlliçi, të cilët po ashtu kanë qenë aktivë në fushatë, duke përcjellë mesazhin e opozitës për një alternativë ndryshe dhe një qeverisje më të ndershme.