Vendosni fjalën kyçe....

Basha mbyll fushatën në Tiranë: Na votoni të luftojmë korrupsionin, mbështetje pa rezerva drejtësisë


Koalicioni Euroatlantik ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e 11 majit.

Tubimi përmbyllës u mbajt në pallatin e sportit në Tiranë me kreun e koalicionit Basha që u bëri thirje qytetarëve të votojnë numrin 4 për të luftuar korrupsionin, pqër të shpëtuar ekonominë, për të mbështetur drejtësinë, familjet, të rinjtë, pensionistët e bizneset.

“Koalicioni Euroatlantik është dhe do të jetë pa kushte në mbrojtje të SPAK-ut dhe drejtësisë së pavarur. Sepse për ne 7×7=313, nuk është thjesht slogan, është e vërteta e dhimbshme e një Shqipërie që rrënohet nga korrupsioni, e një ekonomie që falimenton nga korrupsioni, e familjeve shqiptare që vuajnë nga korrupsioni, e rinisë shqiptare që largohet nga korrupsioni. Ndaj i kemi shpallur luftë pa kushte deri në shkatërrimin e plotë të korrupsionit shqiptar e të korruptuarve shqiptarë me në krye Edi Ramën. Ndaj, vetvetiu kur themi Koalicioni Euroatlantik, kur themi numri 4, na kuptojnë mbështetje pa kushte për drejtësinë. Ftesa ime, ftesa jonë ndaj çdo shqiptari: dilni më 11 maj këtë të diel, zgjidhni numrin 4, jepini fuqi SPAK-ut t’i japim dërrmën korrupsionit”, tha Basha.

Ish-kreu i PD-së shtoi më tej se lista e kandidatëve të Euroatlantikëve përfaqëson të gjitha kategoritë e shoqërisë, nga ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët, sipërmarrës, gra, të rinj etj.  

“’Ekipi ynë ka 55 kandidatë të përndjekur politik, ose pasardhës të të përndjekurve politik të regjimit të enver Hoxhës. Ekipi ynë ka në gjirin e vet dhjetëra pronarë dhe përfaqësues pronarësh, ekipi ynë ka sipërmarrës të vlerave, sipërmarrës të cilët kanë çarë me djersën e tyre dhe janë shembulli i sipërmarrjes së lirë shqiptare, i sipërmarrjes së ardhshme shqiptare. Ekipi ynë ka familjarë të mrekullueshëm, prindër të mrekullueshëm që sakrifikojnë njësoj si çdo familje e ndershme shqiptare për fëmijët e tyre. Besimtarë të zotë, njerëz të vlerave, ekipi ynë ka numrin më të madh të të rinjve shqiptarë, ka moshën më të re të kandidatëve. Ekipi ynë ka shkencëtarë, artistë, ikona të sportit, ekipi ynë është Shqipëria e punës, Shqipëria e nderit, Shqipëria e të ardhmes me 140 individë të pastër, të kulluar, punëtorë dhe mbi të gjitha luftëtarë jo për veten e tyre, por për Shqipërinë, për shqiptarët.” – shtoi Basha.