Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Kavajë: Bufi i do njerëzit si specie nën ‘hyqmin’ e vet


Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në Kavajë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku akuzoi opozitën dhe mënyrën se si ajo ka trajtuar këtë qytet në të kaluarën.

 Rama tha se “kënetat” politike të së kaluarës e kanë përçmuar Kavajën, megjithëse qyteti ka votuar për ta “pa kushte”.

“Përçmimi i dikurshëm dhe ndjesia e tmerrshme që ja morën Kavajës votën pa kushte është në fakt karakteristika e asaj Kënete dhe atij bufi që njerëzit i do si specie nën hyqmin e vet dhe asnjëherë nuk e mendon t’i ngrejë, por si t’i mbajë nën vete,” deklaroi Rama.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën duke thënë se e do popullin vetëm për ta pasur nën kontroll dhe jo për t’i dhënë dinjitet apo zhvillim.

Rama theksoi se çdo ndryshim i bërë në Kavajë ka vulën e mbështetjes së tij dhe të Partisë Socialiste. Duke iu referuar disa ndryshimeve të fundit në infrastrukturën urbane, ai u shpreh:

“Po shihja këtu që pllakat janë zëvendësuar me beton. Nuk jemi ne këta. Nuk i bëjmë ne këto. Jemi këtu për të folur për 11 majin dhe zgjedhje kombëtare.”

Kryeministri nuk la pa ironizuar edhe kandidatët e opozitës, duke përmendur një poster elektoral të vendosur në një berberhane:

“Pashë një poster te xhami i berberit, sepse ky në poster është për të ftuar njerëzit të qethen. Portreti që vihen në berberhane, ta mbajë, por t’ja heqë ato madhështore.”

Ai tha se Partia Socialiste vjen në këto zgjedhje me një skuadër serioze, ndryshe nga kundërshtarët që sipas tij nuk ofrojnë asgjë për qytetin.