
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi akuzave se po zhvillon një fushatë “folklorike”, gjatë një debati në emisionin Repolitix në Report TV, ku ishte i ftuar së bashku me gazetarin dhe analistin Mentor Kikia.
“Po bëni një fushatë folklorike, ku mblidhen, kërcejnë e dëgjojnë barcaleta,” komentoi Kikia.
Por Rama u kundërpërgjigj me ironi:
“Ju jeni njerëz që jetoni me Wagnerin dhe Shekspirin. Ne të tjerët këto kemi: Noizyn, muzikën popullore, qytetare korçare e shkodrane. Ju jeni me Wagnerin dhe Shekspirin… po ç’do të thotë kjo?”
Debati u nxit kur Kikia kërkoi llogari për premtimin e qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Integrimi në BE nuk vendoset me votë në BE, se do të kishim hyrë me kohë. BE nuk është furgoni i Fushë-Krujës: ‘Hajde, se dy u mbush!’ Ke biletë a jo, i ke shkundur ose jo pantallonat, futuni se do nisemi. Përmbyllja e kapitujve kërkon në mënyrë rigoroze plotësimin e të gjitha kritereve.”
Kikia i kërkoi Ramës që të merrte një angazhim të qartë me publikun për rezultatet e procesit të integrimit:
“Nëse jeni të bindur se në 2027 mbyllen negociatat dhe në 2030 jemi në BE, po sikur t’ju propozohet të bëni një kontratë publike me shqiptarët që nëse kjo nuk ndodh, të largoheni nga qeverisja?”
Rama shmangu një premtim të drejtpërdrejtë, por tha:
“Këto afate nuk janë vendosur në mënyrë abstrakte. E para, këtë pjesën e fushatës folklorike se kuptoj çfarë do me thënë. Më thuaj ça momentesh ka?”
Në këtë pikë, ndërhyri moderatori Denis Minga, duke përmendur si shembull kërcimin me Noizyn.
Rama vazhdoi në të njëjtin ton ironik, duke theksuar se përfshirja në një atmosferë më popullore nuk e bën fushatën të pavlerë.
“Ju jeni sërë e lartë që dëgjoni Wagner. Ne të tjerët këto kemi…”