Vendosni fjalën kyçe....

India godet Pakistanin me raketa, përshkallëzohen tensionet midis dy vendeve


Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë arritur në nivele kritike pas sulmit masiv në Kashmir që la 26 të vdekur muajin e kaluar. India ka nisur operacionin “Sindoor”, duke sulmuar infrastrukturën ku dyshohet se janë planifikuar dhe drejtuar sulme terroriste kundër Indisë, si një hakmarrje për masakrën. India akuzon Pakistanin për këtë sulm, por Islamabad e mohon çdo përfshirje, përcjell The Sun.

Ministria e Mbrojtjes e Indisë ka deklaruar se Pakistani ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit, duke sulmuar me artileri në zonën e Bhimber Gali, Poonch-Rajouri. Në përgjigje, ushtria pakistaneze ka kërcënuar se do të hakmerret, duke e quajtur sulmin një “agresion të turpshëm nën mbulesën e natës”. Ata gjithashtu kanë konfirmuar se raketat goditën objekte në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore të Punjab pas mesnate, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije dhe plagosjen e një burri dhe një gruaje.

Në Muzaffarabad, kryeqyteti i Kashmirit të administruar nga Pakistani, ka pasur ndërprerje të energjisë pas sulmeve. Tensionet mes dy fuqive bërthamore kanë arritur kulmin pas masakrës, ku një grup i armatosur qëlloi mbi turistët në një destinacion popullor në Kashmir, i cili është nën kontrollin e përbashkët të dy shteteve, por të dyja i kërkojnë atë për vete.

Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, ka paralajmëruar se nëse India e shkallëzon situatën, mund të nisë një luftë të plotë. Ai ka theksuar se çdo agresion ushtarak do të përballohet me një përgjigje të matur nga Pakistan, por ka shprehur shqetësimin se mund të ndodhë një përshkallëzim i luftës mes dy fuqive bërthamore. Asif ka shtuar gjithashtu se është e rëndësishme që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje paqësore, pavarësisht situatës të tensionuar.

Pas sulmit, të dyja vendet kanë pezulluar vizat për qytetarët e njëri-tjetrit dhe kanë ndërmarrë masa të tjera për të thelluar hendekun diplomatik. India ka ndërprerë marrëveshjet për ndarjen e ujit me Pakistanin dhe ka mbyllur një kalim kufitar, duke intensifikuar përplasjet.

Komuniteti ndërkombëtar po e ndjek me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve, duke shpresuar që tensionet të mos çojnë në një konflikt të plotë.