Vendosni fjalën kyçe....

BE mund të ndalojë importet e gazit rus deri në fund të 2027-ës


Komisioni Evropian do propozojë muajin e ardhshëm një ndalim të marrëveshjeve të reja të gazit rus deri në fund të këtij viti dhe një ndalim të importeve sipas kontratave ekzistuese me Moskën deri në fund të vitit 2027, sipas një draft dokumenti të parë nga Reuters. Bashkimi Evropian vendosi një synim jodetyrues për t’i dhënë fund importeve ruse të karburanteve fosile deri në vitin 2027 pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Një draft i “udhërrëfyesit”, që përcakton se si Komisioni planifikon të heqë dorë nga energjia ruse, tha se në qershor, ai do paraqesë një propozim ligjor për të ndaluar importet e mbetura të gazit rus dhe LNG-së sipas kontratave ekzistuese deri në fund të vitit 2027.

Komisioni do propozojë gjithashtu në qershor një ndalim të importeve sipas marrëveshjeve të reja të importit të gazit rus dhe kontratave spot deri në fund të vitit 2025, tha drafti, i cili ende mund të ndryshojë përpara se të publikohet.

“Nëse zbatohet në përputhje me zhvillimet e tregut global dhe furnizuesit e besueshëm, heqja graduale e importeve të gazit rus pritet të ketë ndikim të kufizuar në çmimet evropiane të energjisë dhe sigurinë e furnizimit,” thuhet në draft.

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj dërgesave ruse të qymyrit dhe naftës në det, por jo ndaj gazit për shkak të kundërshtimit nga Sllovakia dhe Hungaria, të cilat marrin furnizime me tubacione ruse dhe thonë se kalimi te furnizuesit e tjerë do rriste çmimet e energjisë. Sanksionet kërkojnë miratim njëzëri nga të 27 vendet e BE-së.

Rreth 19% e gazit të Evropës vjen ende nga Rusia, nëpërmjet tubacionit TurkStream dhe dërgesave të gazit natyror të lëngshëm.

Kjo është shumë më e ulët se rreth 40% e furnizuar nga Rusia para vitit 2022. Por blerësit evropianë kanë ende kontrata “merr ose paguaj” me Gazprom, të cilat kërkojnë nga ata që kundërshtojnë dërgesat e gazit të paguajnë për pjesën më të madhe të vëllimeve të kontraktuara.