
Kandidatja e Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, ka publikuar një video me pamje nga droni ku denoncon ndërtimet që, sipas saj, po shkatërrojnë zonat e mbrojtura në bregdetin shqiptar. Konkretisht, ajo ka vënë në qendër të vëmendjes ndërtimin e një kompleksi vilash në Gjirin e Manastirit, pranë Sarandës.
Në një mesazh drejtuar publikut, Zhupa akuzon qeverinë se po përdor ligjin për investimet strategjike për t’i dhënë prona publike klientëve të pushtetit.
“Kjo është vetëm një nga pikat që po mbushin Shqipërinë me ‘grabitje strategjike’. Prona publike po kthehet në plaçkë për të afërmit e qeverisë,” deklaron ajo.
Deputetja dhe kandidatja e PD premton se, nëse opozita fiton në zgjedhjet e 11 majit, ligji i investimeve strategjike do të anulohet dhe zonat e mbrojtura do të rivendosen nën mbrojtje të plotë ligjore.
“Sot kjo pronë është marrë nga të ashtuquajtur ‘investitorë strategjikë’. Në 11 maj keni mundësinë të zgjidhni mes kësaj shkatërrimi dhe një alternative që mbron pronën dhe natyrën,” përfundon Zhupa, duke i bërë thirrje qytetarëve të votojnë për numrin 1 – Partinë Demokratike dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.