Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në qendër të Fierit, shoqërohet në polici kandidati i PD-së, selia blu: Urdhër politik i Belinda Ballukut (Video)


Kandidati i PD-së në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar nga policia e Fierit, e cila pretendon se kundërshtoi policët bashkiakë që po hiqnin një banderolë në qendër të qytetit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë blu që e ka cilësuar shoqërimin e kandidatit të PD-së me urdhër politik të zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Policia e Fierit me urdhër politik të Belinda Ballukut, ka shoqëruar në komisariat, kandidatin e Partisë Demokratike Fatjon Semanjaku, pse bën fushatë dhe shpërndan fletushka në shesh”, thuhet në reagimin e PD.

Policia e Fierit ka dhënë versionin e saj të përplasjes në qendër të Fierit, ku shoqëroi kandidatin e PD-së, Fatjon Semanjaku. Sipas policisë, kandidati demokrat ka kundërshtuar policët bashkiakë ndërsa shton se posteri i vënë në qendër të qytetit është në kundërshtim me ligjin.

“Në lidhje me një lajm të publikuar për shoqërimin në Komisariat të shtetasit F. S. (Kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), sqarojmë se: Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qëndër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.

Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kanditatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron subjektet politike dhe qytetarët se shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar e goditur paligjshmëritë si dhe për të garantuar rendin e sigurinë.” – thuhet në njoftimin e policisë.

*Video marrë nga BW