Nga Isobel Yeung dhe Norma Galeana
Burri i ulur përballë nesh i përket kartelit Sinaloa – një nga rrjetet kriminale më të fuqishme dhe më të frikshme në botë – dhe një nga rrjetet që qeveria amerikane e ka caktuar së fundmi organizatë të huaj terroriste.
Kjo është një bandë që “vret, përdhunon, torturon dhe ushtron kontroll të plotë duke paraqitur një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare (të Shteteve të Bashkuara),” sipas presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili ka premtuar “t’u shpallë luftë” karteleve të Meksikës.
U deshën javë të tëra për të arritur burrin e intervistuar, për të verifikuar identitetin e tij dhe për ta bindur atë të flasë me ne. Kontakti ynë në terren në shtetin meksikan të Sinaloas e ka siguruar vazhdimisht atë se ne nuk jemi nga policia. Ose agjentë të DEA-s. Ose CIA-s.
Mbërrijmë në një shtëpi të papërshkrueshme në një zonë banimi në anën jugore të qytetit Culiacán dhe na udhëzohet të mbulojmë kamerën tonë gjatë rrugës. Është një lagje që dihet se është e populluar nga kartele. Pasi hymë, na çojnë në një dhomë gjumi me ndriçim të dobët në pjesën e pasme të shtëpisë.
Një pikturë gjigante e Jezu Krishtit është gozhduar në mur, mbi një shtrat me pamje të ndryshkur, të mbuluar me pluhur. Një burrë i moshuar dhe kuqalash qëndron pranë dritares, duke mbajtur një radio marrësedhënëse afër veshit dhe me ankth hedh vështrimin lart e poshtë rrugës ku kalojnë makinat dhe automjetet ushtarake.
Anëtari i kartelit – tani një terrorist në sytë e qeverisë amerikane – ulet në një cep të dhomës. Ai ka një shtrëngim duarsh të fortë dhe një trup të fortë. Ai mban kapele bejsbolli të filmit “Joker”, një shall të mbështjellë fort rreth fytyrës, syze dielli për të maskuar sytë dhe doreza blu latex për të mbuluar tatuazhet në duar. Mbështetur në karrigen është një armë automatike. Pranë kësaj janë edhe dy burra të tjerë me radio marrësedhënëse, të cilët informojnë mbi lëvizjet e ushtrisë meksikane.
Ai thotë se prodhon fentanil – opioidin sintetik që është bërë droga më e zakonshme e përfshirë në vdekjet nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara.
“Sigurisht, sigurisht, gjërat janë të trishtueshme,” thotë burri, i cili nuk dha emrin e tij të vërtetë.
“Por duhet të vazhdosh, familjet duhet të hanë”, ngre ai supet.
Për gati dy dekada, autoritetet meksikane kanë zhvilluar një betejë kundër karteleve, me rezultate të kufizuara. Dhe për më shumë se pesë dekada, presidentë të ndryshëm amerikanë kanë shpallur luftë kundër drogës. Por mes valëve të reja të dhunës së karteleve dhe presionit nga Trump në formën e ndërhyrjes së kërcënuar ushtarake të SHBA-së dhe tarifave më të larta të importit, presidentja Claudia Sheinbaum ka miratuar një qasje më të ashpër për të trajtuar këtë çështje.
Qëndrimi “përqafime, jo plumba” i paraardhësit të saj Andrés Manuel López Obrador rezultoi mjerisht joefektiv.
Rreth 10,000 anëtarë të Gardës Kombëtare të Meksikës janë dërguar në kufirin e tyre verior, pjesërisht për të ndaluar fluksin e narkotikëve që të hyjë në SHBA. Dhe qindra ushtarë besohet se u janë bashkuar forcave të armatosura paraekzistuese, marinsave, Gardës Kombëtare dhe policisë së stacionuar tashmë në shtetin Sinaloa, shtëpia e kartelit famëkeq të drogës Sinaloa të udhëhequr më parë nga bosi famëkeq i drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán.
Zyrtarët i thanë CNN se gjashtë muajt e parë të administratës së Sheinbaum panë mbi 17,000 të dyshuar të arrestuar për krime të rënda në mbarë vendin dhe më shumë se 140 ton drogë të sekuestruara, duke përfshirë 1.5 ton fentanil dhe mbi 2 milionë pilula fentanili. Ndërkohë, Doganat dhe Mbrojtja e Kufijve të SHBA-së kapi mbi 10 ton fentanil vitin e kaluar. Vetëm dy miligramë – madhësia e disa kokrrave rëre – mund të jenë vdekjeprurëse.
Kimikatet pararendëse të përdorura për prodhimin e fentanilit janë kryesisht me burim nga Kina, përpara se të gatuhen në laboratorë anembanë Meksikës, ku kartelet kanë kontroll mbi territore të tëra dhe qasje relativisht të lehtë në tregun amerikan.
Qeveria meksikane mohon që fentanili prodhohet në vend, duke pretenduar në vend të kësaj se shumica e laboratorëve sintetikë që zbulojnë po përdoren për të bërë metamfetaminën.
Biznesi këto ditë nuk është i mirë, thotë anëtari i kartelit, duke pranuar se vetë Karteli Sinaloa është dobësuar ndjeshëm nga veprimet e ushtrisë. Por ata ende mund të mbijetojnë. Mund të prodhohen vetëm sasi të vogla të drogës, shpjegon ai, pasi grupi duhet të qëndrojë i gatshëm në rast se autoritetet kryejnë bastisje të improvizuara.
Përdorimi i reaktorëve më të vegjël dhe pajisjeve të gatimit u lejon atyre të çmontojnë funksionimin e tyre në çdo çast dhe të kontrabandojnë këto sasi të menaxhueshme droge nëpër lagje të ndryshme – dhe përfundimisht përtej kufirit. Ndonjëherë ata lëvizin vendndodhjen për faza të ndryshme të prodhimit, duke siguruar që janë vetëm në një zonë për një periudhë të shkurtër kohe. Kartelet po derdhin gjithashtu burime shtesë në mbikëqyrje për të kontrolluar policinë dhe ushtrinë. Dhe pjesa më e madhe e prodhimit është zhvendosur në shtete të tjera, ku ushtria meksikane ka më pak prani.
Një operacion i madhe ushtarak
Të ngjeshur në një helikopter Blackhawk me ushtrinë meksikane, sfidat e ndërprerjes së tregtisë së drogës mund të shihen në peizazhin e përhapur më poshtë.
Shteti Sinaloa shtrihet për mbi 22,000 milje katrore dhe ushtarët filtrojnë terrenin malor poshtë tyre për ndonjë shenjë gjurmësh, tela elektrikë ose furnizime uji që mund të çojnë në një strehë ku prodhohet droga. Duke pasur parasysh se këto operacione janë zhvendosur kryesisht jashtë qytetit dhe tani janë të ngulitura diku në ndonjë fshat të madh, ato janë shumë më të vështira për t’u dalluar.
Fushat e marihuanës dhe lulëkuqeve (përdoren për prodhimin e heroinës) janë më të dukshme, por laboratorët e drogës sintetike mund të shfaqen kudo dhe shpesh kërkojnë vetëm pajisje rudimentare: tenxhere, tigan, pajisje mbrojtëse bazë për të ndaluar punëtorët të marrin frymë në tymin toksik, enë plastike ku përzihen kimikatet, reaktorë të vegjël që përdoren për gatim, kështu që operacioni i tyre nuk është i kapshëm nga helikopterët apo dronët e ushtrisë.
Në një vizitë në një laborator të zbuluar së fundmi, u duk se një ekip i vogël punonjësish të kartelit kishin punuar këtu deri një ditë më parë. Ushtria rrallë i kap fajtorët, të cilët ka të ngjarë të zhduken sapo shohin helikopterin duke u ulur. Mbrapa kanë mbetur pjesë të një reaktori dhe kontejnerë të mëdhenj plastikë me metamfetaminë të lëngshme, së bashku me grumbuj ushqimesh, ujë dhe madje edhe një palë xhinse – shenja se ata ishin vendosur në këtë zonë për disa ditë.
Ushtarët meksikanë të veshur me maska kundërgazi dhe kostume të bardha thyejnë pajisjet e mbetura, duke ndaluar herë pas here për të pastruar djersën që derdhej nga fytyrat e tyre.
Një tabelë ishte gozhduar në një shtyllë në hyrje të laboratorit. Aty shkruhej “Për të bërë një marrëveshje: Telefononi”: një ftesë e hapur për çdo ushtar të gatshëm që të shkruajë numrin e tij të telefonit dhe të bëjë sikur nuk ka parë gjë, me sa duket në këmbim të një pagese.
“Kjo nuk ndodh kurrë,” këmnëngul Gjeneral brigade Porfirio Fuentes Vélez.
“Unë shoh përkushtimin e qeverisë në adresimin e çështjes së drogës. Ne e dimë se është një problem shumë serioz sepse ka një treg që kërkon shumë droga sintetike. Por kriminelët po prodhojnë gjithnjë e më pak më pak … sepse strategjia e presidents meksikane është të forcojë bashkërendimin e të gjitha agjencive në nivel federal, shtetëror dhe komunal.”
Por jashtë kamerave, pothuajse të gjithë me të cilët flasim e pranojnë se korrupsioni është i përhapur. Në fakt, shefi i sigurisë që mbikëqyri një goditje të mëparshme u dënua më vonë në gjykatën federale të SHBA për marrjen e miliona dollarëve nga karteli Sinaloa.
Luftë brenda luftës
Rosalinda Cabanillas lëshon një vajtim që jehon në të gjithë varrezat. Tingulli i dhimbjes që asnjë nënë nuk duhet të kalojë. Ajo ngjitet pas arkivolit të bardhë që mbante vajzën e saj 26-vjeçare, Vivian Karely Aispuro, trupi i së cilës u gjet pas 17 ditësh të mundimshme pasi u zhduk.
“Faleminderit. Faleminderit për gjithçka,” qan 27-vjeçarja Alma Aispuro, ndërsa trupi i motrës së saj më të vogël varroset. Një grup me pesë pjesë këngëtarë mariachi këndon meloditë e trishta.
Gjatë shtatë muajve të fundit, dhuna është rritur në gjithë Sinaloan, veçanërisht në Culiacán. Qyteti është mbuluar nga gjaku, ndërsa fraksionet rivale të kartelit Sinaloa luftojnë një luftë vdekjeprurëse hakmarrjeje.
Dy udhëheqës të fuqishëm të kartelit Sinaloa u arrestuan në Teksas korrikun e kaluar: Ismael Zambada Garcia (i njohur si “El Mayo”, një bashkëthemelues i grupit) dhe Joaquín Guzmán López, djali i El Chapos. Të dy akuzohen për udhëheqje të rrjeteve të prodhimit dhe trafikimit të fentanilit. Por Zambada u kap pas një tradhtie të supozuar nga Guzmán López, thonë zyrtarët, duke i shtyrë ndjekësit e tyre të përlasen ashpër.
Në SHBA, Zambada është deklaruar i pafajshëm për një aktakuzë me 17 pika që e akuzon për trafik narkotikësh dhe vrasje. Gúzman López është deklaruar i pafajshëm për akuzat për narkotikë, pastrim parash dhe armë zjarri.
Që atëherë, Culiacán është paralizuar nga përplasje të rregullta midis dy fraksioneve, si dhe ushtrisë. Më shumë se 1200 burra, gra dhe fëmijë janë vrarë vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i numrit të 12 muajve të mëparshëm, sipas Këshillit Shtetëror të Sigurisë Publike. Qindra të tjerë janë zhdukur.
Megjithëse prania e ushtrisë ka ndihmuar disi të qetësohet gjendja, ajo nuk është nën kontroll dhe frika është e thellë mes shumë banorëve. Vajtja në shkollë është në rënie dhe fëmijëve u mësohet se si të strehohen në rast se e gjejnë veten të bllokuar mes të shtënave. Ndërsa bie nata, qyteti zakonisht i gjallë është jashtëzakonisht i qetë – përveç zhurmës së herëpashershme të armëve.
Një shtetrrethim i vetëvendosur bën që rrugët të zbrazën, baret dhe restorante të mbyllen herët. Mjekët vullnetarë lëvizin rrotull me motoçikleta, duke iu përgjigjur një sërë urgjencash mjekësore që vijnë nga incidente të dhunshme.
Alma thotë se motra e saj Vivian nuk ishte e përfshirë në kartele dhe ne nuk gjetëm prova që të sugjeronin të kundërtën.
“Por dhuna që shpërtheu këtu në Culiacán çoi në këtë gjë. Sepse para luftës që po përjetojmë tani, kishte kode – dhe gratë dhe fëmijët respektoheshin. Pas luftës, ato kode nuk ekzistojnë më,” thotë ajo.
Kushdo që ka edhe përfshirjen më të vogël me anëtarët e kartelit mund të jetë në rrezik. Dhe edhe ata që mbajnë distancën, na thanë banorët që e përjetojnë këtë, mund ta gjejnë veten peng ose të vrarë.
Miguel Calderón, i cili jeton në Culiacán dhe punon për Këshillin Shtetëror për Sigurinë Publike, beson se gjërat mund të jenë edhe më keq.
“Ky presion nga administrata Trump është përkthyer në rezultate të prekshme këtu, në një bashkërendim më të mirë që përkthehet në të gjitha këto çështje të frenimit të veprimtarisë kriminale, veçanërisht fuqisë së tij të zjarrit. Nëse nuk do ishin forcat federale dhe gjithë kjo mbështetje ushtarake nga qeveria kombëtare, problemi do ishte dy ose tre herë më i keq.”
Megjithatë ai beson se është e vështirë të ruhet ky presion kur kaq shumë të rinj rekrutohen në kartel çdo ditë, me premtime për pagesa shumë më të mëdha se sa do merrnin ndryshe. Ai thotë se duhet bërë diçka për të frenuar seriozisht kërkesën amerikane për drogën e prodhuara këtu. Pa këtë, karteli Sinaloa ka të ngjarë të mbetet një forcë e fortë dhe e pasur dhe më shumë familje do ndiejnë ankth si ajo e familjes së Vivian Aispuro.
“Pasi gjetëm motrën time të vdekur, pesë gra u zhdukën, duke përfshirë vajza dhe të tjera në të njëjtën moshë si motra ime. Dhe ne kemi frikë, sinqerisht unë kam frikë. Kam frikë për familjen time. Kam frikë të jem grua në Meksikë dhe kam frikë se askush nuk do na ndihmojë, askush nuk do na dëgjojë, askush nuk do kujdeset për ne.” – thotë Alma ndërsa varrmihësit mbulojnë me dhe të motrën e sapovarrosur.
VINI RE: Ky material ëshë pronësi intelektuake e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani




