
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka denoncuar një situatë të rëndë mjedisore në fshatin Jagodinë të Roskovecit, duke e cilësuar atë si një “krim të rëndë” që po kërcënon jetën e banorëve.
Në një reagim të publikuar sot, Bardhi deklaron se banorët e zonës jetojnë çdo ditë nën një re gazi të padukshme, por shumë të rrezikshme për shëndetin dhe jetesën.
Sipas tij, kjo ndotje ka prekur seriozisht tokën bujqësore dhe cilësinë e ushqimit, ndërsa ndikimet më të rënda janë shëndetësore.
“Ky nuk është thjesht një problem mjedisor. Kjo është një kërcënim direkt për jetën. Ky është një krim i rëndë,” shkruan Bardhi, duke përmendur probleme të rënda shëndetësore te banorët si vështirësi në frymëmarrje, alergji dhe sëmundje kronike.
Ai akuzon institucionet shtetërore dhe lokale për heshtje të qëllimshme dhe mungesë reagimi përballë kësaj krize, ndërsa u bën thirrje që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar ndotjen.
“Banorët nuk kërkojnë mëshirë,” thekson Bardhi. “Kërkojnë ajër të pastër, tokë të shëndetshme dhe një të ardhme të sigurt. Personalisht do ta ndjek këtë çështje kudo dhe do jem zëri i këtyre banorëve.”
Postimi i Bardhit:
AJRI QË VRET — Krimi mjedisor në Jagodinë, Roskovec
Çdo ditë, banorët e fshatit Jagodinë në Roskovec zgjohen dhe jetojnë nën një re gazi të padukshme, por shumë të rrezikshme. Ky nuk është thjesht një problem mjedisor. Kjo është një kërcënim direkt për jetën! Ky është një KRIM i rëndë.
Jagodina është një zonë bujqësore dhe me njerëz shumë punëtor. Ndotja ka dëmtuar prodhimet bujqësore, ka ulur rendimentin dhe cilësinë e ushqimit që vjen nga toka. Por më e rënda është se kjo ndotje po dëmton shëndetin e banorëve: probleme me frymëmarrjen, alergji, sëmundje kronike — e askush nuk mban përgjegjësi. Institucionet shtetërore e dinë çfarë po ndodh, por zgjedhin të mos veprojnë, të heshtin.
I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe lokale: NDËRHYNI TANI! Ndaleni menjëherë këtë krim të rëndë ndaj jetës dhe shëndetit të banorëve të asaj zone. Banorët nuk kërkojnë mëshirë, kërkojmë ajër të pastër, tokë të shëndetshme dhe një të ardhme të sigurt. Personalisht do ta ndjek këtë çështje kudo, dhe do jem zëri i këtyre banorëve, që kanë kohë që bërtasin me zë të lart, por për qëllime korruptive nuk i dëgjon askush, as bashkia, as qeveria dhe as prokuroria.