Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Fierit Gazment Bardhi ka akuzuar zv.kryeministren Belinda Balluku, kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, policinë e Fierit dhe policinë bashkiake për shoqërimin e kandidatit demokrat Fatjon Semanjaku.
Në një qëndrim për mediat, Bardhi tha se qëllimi i shoqërimit është frikësimi i kandidatëve të opozitës në javën e fundit të fushatës.
“Kandidati Semanjaku është penguar nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të bashkisë së Fierit, Armando Subashi, që të ushtrojë fushatën përmes stendave. Më pas është urdhëruar shoqërimi me dhunë i tij në polici. Ky është një akt i pashembullt që tregon sesi shteti është shkrirë me partinë,” tha Bardhi. Kemi të dhëna të depozituara që drejtues të policisë në Fier janë përfshirë në fushatë për llogari të një krimineleje dhe të korruptuare si Belinda Balluku.” – deklaroi Bardhi, duke akuzuar zëvendëskryeministren për ndërhyrje të paligjshme në garën zgjedhore.
Semanjaku u shoqërua pas një përplasjeje në qendër të Fierit mes tij dhe mbështetësve të PD-së dhe policisë bashkike lidhur me një stendë.
Sipas policisë së Fierit, Semanjaku thjesht po shpërndante fletushka për zgjedhjet ndërsa policia në njoftim zyrtar tha se ai kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë bashkiake që po hiqnin një stendë të vendosur në kundërshtim me ligjin.
