
Nga Saranda, kryeministri Edi Rama sulmoi kandidatët e opozitës duke i cilësuar si “kukullat e bufit” dhe pjesë e një “kënete që duhet tharë”. Ai krahasoi listën e PS-së si një mozaik me përfaqësim dinjitoz, ndërsa ironizoi faktin që edhe fituesit e primareve të PD-së, si në Sarandë dhe Kavajë, janë zëvendësuar nga drejtuesit e partisë.
Madje shtoi se edhe figurat më të mira që fituan Primaret e PD, “bufi i hëngri”, duke iu referuar në emër edhe deputetit Dashnor Sula si precedent.
“Më falni zonjat nëse ju kam dalë në frigorifer sepse nuk bëni dot darkën kur vijnë burrat në shtëpi dhe nuk gjejnë gjë, e po nuk keni bërë darkën gati ata s’janë në vete për ditë me radhë dhe asgjë.
Këtu (në Sarandë), bufi, këneta hëngri kryetarin e PD-së këtu, nuk e njoh, s’e kam idenë fare, por di që është fitues i primareve. Ku është, hë? E ka ngrënë bufi, e hëngri!
Ka ngrënë edhe atë të Kavajës. Këta sa herë i ha bufi, kanë ngrënë atë që u tregon bufi. Po Dash Sula, gjeli detit të Peqinit.
Dashi, gjeli detit, po s’është i kënetës ai. Dogji dhe xhaketën Dashi dhe bufi e hëngri. Nuk është më Dashi”, tha Rama.
Kryesocialisti shtoi se është paradoks që në këtë situatë “të votosh kukullat e bufit”. Ai nënvizoi se edhe ndaj tij hidhen akuza të shumta e fyerje, teksa e kritikojnë kur u përmend shprehjet si “çyrykë politikë”, “kënetë”, “buf” dhe të tjera.
“Ça janë këta njerëz tani, do vemi të votojmë për kukullat e bufit. S’e na thonë që i shaj ata, e s’po i them, se kur më thonë mua drogaxhi e kriminel, unë duhet të duroj. Pra këtej keni kandidatët e bufit, që nuk vlejnë për asgjë”, shtoi ai.
Rama kujtoi se në Sarandë kandidon edhe një djal i kësaj zone, përveç të tjerëve, që sipas tij “e kishte kokën plot” dhe ai ishte Ardit Bido, duke ngritur lartë vlerat intelektuale të kandidatit socialist për qarkun e Vlorës.
“Kurse këtej nga krahu unë keni një mozaik, si pilurioti kokëfortë, na (bën me dorë shenjën e kokëfortësisë), di vetëm drejt, e tha edhe vetë. Keni Delvinjot këtu, keni dy burra, për kë e keni (i drejtohet dikujt)? Ajo tjetra, kandidatja po nga kjo zonë, është qershia në tortë, e kam në fund unë fjalën për të! Se kemi dy burra këtu, po flas për Arditin dhe Çuçin. Ardit Bido e ka kokën plot, ua kemi bërë kandidat këtu. Nëse doni burra të mençur, ja tek i keni”, tha ai mes të tjerash, duke shkaktuar edhe ovacione tek të pranishmit.
Por kryesocialisti nuk harroi kundërshtarin e tij Sali Berisha, duke kujtuar se vota e 11 majit duhet të jetë masive dhe historike, si e 1992, pasi kreu i PD-së sipas tij ka nisur të përgatisë historinë e “vjedhjes së zgjedhjeve”.
“Nuk duhet nënvlerësuar as bufi, ka nisur të thotë historitë me vjedhje zgjedhjesh. Ndaj duhet të mobilizoheni me shoqe, mike, fqinje, flisni me gratë demokrate e burrat demokrate, duhet të flisni, të bëni dy gjëra, që t’u kujtoni pasaportën e kalamajve. Tjetra është vota për Shqipërinë, siç vajtën më 1992, nuk vajtën për partinë”, u shpreh ai.