Vendosni fjalën kyçe....

“Klotilda akuzohet nga SPAK për pengim të drejtësisë.”- Shehaj: Rama koka e korrupsionit do të përfundojë në burg


Gjatë një tubimi në Astir, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor listat e Partisë Socialiste për të mbrojtur nga drejtësia jo vetëm bashkëpunëtorët e tij të afërt të përfshirë në skandale korruptive, por edhe veten.

Shehaj theksoi se arrestimi i Erion Veliajt është dëshmi se askush nuk është i paprekshëm dhe paralajmëroi se edhe vetë Rama mund të përfundojë pas hekurave.

 “Mos t’ju duket e pamundur që edhe Edi Rama, që është koka e korrupsionit, të përfundojë në burg. Ka për të ndodhur.”

Sipas Shehajt, më 11 maj shqiptarët kanë mundësinë të ndërpresin një sistem të kalbur, ku të akuzuarit për korrupsion promovohen dhe mbrohen nga politika. 

“Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë njerëz të ndershëm që thjesht duan të punojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre, por për dekada janë qeverisur nga politikanë të korruptuar, të cilët ua kanë bërë të pamundur jetesën.”

Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia  vijoi kritikat ndaj qeverisjes aktuale, duke theksuar se për vite me radhë qytetarëve “u është marrë shpirti” dhe nuk janë lënë të punojnë. Ai ngriti pikëpyetje mbi sinqeritetin e kryeministrit Edi Rama në raport me drejtësinë, duke thënë se qëndrimet e tij ndryshojnë në varësi të interesave personale dhe politike.

“Çfarë kanë bërë? Thjesht iu kanë marrë shpirtin, nuk i lënë të punojnë. Dhe çfarë bëjnë sot, që ka ndodhur një ndryshim i madh? Unë kam marrë fletën e votimit… Degjojmë shpesh që Edi Rama flet për drejtësinë, por e ka me faza…”,.

“E dini pse akuzohet Klotilda nga SPAK? Për pengim të drejtësisë. Imagjinoni, Rama e kandidon për të mbështetur drejtësinë, ndërkohë që ajo vetë është nën hetim për ta penguar atë. E kuptoni çfarë talljeje?”, tha ai.

Më tej, Shehaj shtoi: “Edi Ramës nuk i intereson fati i këtyre njerëzve. Ai i fut në lista sepse ka nevojë të mbrojë vetveten. Nëse drejtësia vazhdon të funksionojë, Edi Rama do përfundojë në burg. Ose drejtësia do të dështojë, ose Edi Rama do të shkojë në burg. Të dyja bashkë nuk mund të qëndrojnë” – u shpreh Shehaj.