Vendosni fjalën kyçe....

Alizoti nga Peqini: Rama të përballet, jo të fshihet pas bandave – Shqipëria po zbrazet


Në një takim elektoral të Partisë Demokratike në Peqin, drejtuesi politik i PD-së për qarkun Elbasan, Tomor Alizoti, akuzoi kryeministrin Edi Rama për shmangie nga përballja politike dhe lidhje me grupe kriminale. Ai e ftoi Ramën të përballet drejtpërdrejt me opozitën, pa u mbështetur – siç u shpreh – “pas bandave”.

“Ne jemi të djathtë me shpirt dhe nuk kemi frikë nga përballja. Ju që merrni vota për djalin e Kristaqit duhet ta dini se ai i ‘ha shokët’ – është në natyrën e tij. Një ditë do t’ju hajë edhe juve,” tha Alizoti, duke iu drejtuar mbështetësve socialistë.

Alizoti u ndal edhe te gjendja sociale dhe demografike e vendit, duke theksuar largimin masiv të shqiptarëve, boshatisjen e fshatrave dhe qyteteve, si dhe rritjen e influencës së krimit të organizuar. Ai solli në vëmendje rastin e vrasjes së një gruaje të pafajshme në një atentat në Shkodër, si simbol të situatës së rëndë të sigurisë.

“Gjysma e shqiptarëve endet rrugëve të botës. Në atentatin e Shkodrës vdiq një nënë e pafajshme, ndërsa në shumë qarqe nuk ka më jetë. Qytetet tona po kthehen në qendra të narkos dhe të bandave. Nuk duhet të trembeni nga njerëz të zakonshëm, por nga kjo ç’bërje që po i ndodh Shqipërisë,” u shpreh ai.