Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi nga SPAK: Nëpunësit e administratës të mos përfshihen në krime zgjedhore, shkeljet do të përballen me drejtësinë


Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka depozituar informacion shtesë mbi denoncimet e mëparshme për krime zgjedhore.

Vokshi akuzoi Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për, siç u shpreh ajo, “keqpërdorim të përditshëm të administratës publike” në funksion të fushatës elektorale.

Ajo u bëri thirrje të gjithë nëpunësve civilë që të mos përfshihen në veprime të paligjshme dhe të distancohen nga praktikat e patronazhimit.

“Me keqpërdorimin e administratës publike, PS dhe Edi Rama vazhdojnë me shkelje të përditshme. I bëjmë thirrje çdo nëpunësi të administratës publike, çdo mësuesi, të mos bëhet pjesë e krimeve zgjedhore. Të largohen nga sistemi i patronazhimit”, deklaroi Vokshi.

Ajo theksoi se kushdo që shkel ligjin dhe përfshihet në krime zgjedhore – përmes patronazhimit apo dhënies së shërbimeve në këmbim të votës – do të përballet me drejtësinë.

“Çdokush që bën krime zgjedhore do të përballet me drejtësinë. Kushdo që bën detyrën e nëpunësit civil do të mbështetet nga qeveria e PD. Kush përfshihet në krime zgjedhore, do të mbajë përgjegjësi ligjore, herët a vonë”, tha ajo.