Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite bombardon objektiva pranë pallatit presidencial të Sirisë


Izraeli tha të premten se kreu sulme ajrore pranë kompleksit presidencial në Siri, në përgjigje të dhunës kundër pakicës Druze.

“Pak kohë më parë, avionët luftarakë sulmuan zonën pranë pallatit të Ahmed Husein al-Sharaa në Damask”, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një deklaratë të shkurtër.

Al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammad al-Julani, udhëhoqi një koalicion të forcave islamike që rrëzuan presidentin Bashar Assad në dhjetor 2024. Marrja e shpejtë e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera në Sirinë perëndimore u shoqërua me përplasje mes grupeve të ndryshme etnike e fetare duke lënë pas shumë viktima, shkruan Rt.

Sipas Al Jazeera, përleshjet shpërthyen të hënën në qytetet Jaramana dhe Sahnaya në jug të Damaskut pas një klipi audio që qarkulloi në mediat sociale në të cilin një burrë kritikonte Profetin Muhamed. Regjistrimi i është atribuar një studiuesi druze, i cili ka mohuar përgjegjësinë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz lëshuan një deklaratë të përbashkët të premten, duke përshkruar sulmet e IDF si “një mesazh të qartë për regjimin sirian”. Ata shtuan: “Ne nuk do lejojmë që forcat të dërgohen në jug të Damaskut ose ndonjë kërcënim për komunitetin Druze”.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, raportoi të enjten se rendi ishte rivendosur në Sahnaya pas vendosjes së forcave të sigurisë.