Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy të rinj të kërkuar në Shqipëri për grup kriminal dhe pengmarrje


Interpol Tirana, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ka finalizuar ekstradimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga Gjermania është ekstraduar 21-vjeçari Danjel Lalaj, i dënuar nga Gjykata e Posaçme për përfshirje në kultivim kanabisi dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Ndërsa nga Italia është ekstraduar 35-vjeçari Kledjon Berberi, banues në Korçë, i cili akuzohet për “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “kanosje për dëshmi të rreme”, pas një ngjarjeje të ndodhur në qershor 2024.

Njoftimi:

Interpol Tirana

Vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, kapet në Gjermani dhe ekstradohet në Shqipëri 21-vjeçari i kërkuar për veprimtari në formën e grupit të strukturuar kriminal në fushën e kultivimit të kanabisit.

Po në kuadër të operacionit “The Wanted”, në Itali është kapur dhe është ekstraduar në Shqipëri 35-vjeçari nga Korça, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në vijim të operacioneve të përbashkëta me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi, në Gjermani dhe Itali janë kapur dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë dy shtetas, konkretisht:

Nga Gjermania është ekstraduar shtetasi Danjel Lalaj, 21 vjeç. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin D. L., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, në Itali, u bë e mundur arrestimi në Milano, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit Kledjon Berberi, 35 vjeç, banues në Korçë. Në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”. 35-vjeçari, në qershor 2024, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka mbajtur pa dëshirën e tij, me forcë, brenda një automjeti, duke e dhunuar rëndë shtetasin K. V.

Vijon bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.