
Rusia ndërmori sulme masive me dronë në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe evakuime, në të njëjtën kohë kur Kievi dhe Uashingtoni finalizuan një marrëveshje historike për mineralet, përcjell Daily Mail.
Të paktën dy persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën nga sulmet në qytetin port të Odesës, sipas shërbimeve të emergjencës ukrainase. Godina të larta banimi, një supermarket, një shkollë dhe disa shtëpi u dëmtuan.
Forcat e armatosura të Ukrainës njoftuan se Rusia përdori pesë raketa balistike dhe 170 dronë në të gjithë vendin, nga të cilët shumë u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.
Alarmet e sulmeve ajrore u dëgjuan në qytete të shumta si Sumy, Kievi, Kharkiv, Chernihiv, Donetsk, Dnipropetrovsk dhe Zaporizhzhia, ndërsa shpërthime u raportuan edhe në Sumy.
Andriy Yermak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kërkoi një “armëpushim të plotë”, duke shkruar në Telegram se “duhet të shtyjmë për të bashkë me SHBA-në”.
Sulmet erdhën pak orë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re për mineralet në Uashington, e cila u quajt nga administrata Trump një formë e re e angazhimit afatgjatë amerikan ndaj Ukrainës, pas përfundimit të ndihmës ushtarake.
Marrëveshja parashikon krijimin e një Fondi të Investimeve për Rindërtim me pjesëmarrje të barabartë mes dy vendeve. Ukraina do të ruajë kontrollin e plotë mbi nëntokën, infrastrukturën dhe burimet natyrore të saj, ndërsa përfitimet do të riinvestohen vetëm në territorin ukrainas.
Ministrja e Ekonomisë së Ukrainës, Yulia Svyrydenko, deklaroi se fondi do të financojë projekte për mineralet, energjinë dhe infrastrukturën përpunuese.
Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessant, tha se marrëveshja është një sinjal i qartë për Rusinë se SHBA mbështet një Ukrainë të lirë dhe sovrane. Ai theksoi se askush që ka financuar apo furnizuar “makinerinë e luftës ruse” nuk do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e cilësoi marrëveshjen si “përulje” të Kievit, duke thënë se “Trump më në fund e detyroi regjimin ukrainas të paguajë për ndihmën amerikane.”
Megjithatë, deklarata zyrtare e SHBA-së shfaqte një ton më të ashpër ndaj Rusisë sesa zakonisht, duke dënuar hapur agresionin rus dhe duke e përshkruar situatën si një “pushtim të plotë”.