Greqia çeli të mërkurën një tender ndërkombëtar për të drejtat e kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në zonat detare në jug të Peloponezit dhe Kretës.
Tenderi do kryhet nga Kompania Helenike e Menaxhimit të Hidrokarbureve dhe Burimeve Energjetike, shkruan Kathimerini.
Ky zhvillim vjen pas shprehjeve të interesit të paraqitura nga kompania amerikane Chevron për një bllok në det të hapur në jug të Peloponezit dhe dy blloqe detare në jug të Kretës, si dhe nga HELLENiQ Energy për bllokun detar A2 në jug të Peloponezit.
Tenderi ndërkombëtar, i firmosur nga ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian për një periudhë 90-ditore, gjatë së cilës kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat e tyre.
