Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi denoncon rritjen e taksave: Votuesit më besnikë të PS nuk e meritojnë arrogancën e bandës së Belinda Ballukut


Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, gjatë takimeve me qytetarë në qytetin e Fierit ka denoncuar rritjen e ndjeshme të taksave dhe tarifave vendore për këtë vit, pavarësisht se xhiroja e bizneseve vijon të bjerë.

Sipas Bardhit, shumë qytetarë ndihen të braktisur nga qeveria dhe të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura. Ai theksoi se emigracioni, papunësia dhe përqendrimi i pasurisë në pak duar kanë thelluar varfërinë në qark.

“Votuesit më besnikë të PS nuk e meritojnë arrogancën e bandës së Belinda Ballukut në Fier. Nuk e meritojnë as keqtrajtimin shumëvjeçar, duke i konsideruar si votues që i kanë në xhep,” u shpreh Bardhi.

Duke theksuar se rritja e barrës fiskale në një kohë kur biznesi është në rënie, nxit shpopullimin dhe falimentimin, Bardhi bëri thirrje për ndryshim në zgjedhjet e 11 majit. Ai prezantoi edhe planin emergjent të PD-së që synon rritjen e të ardhurave për qytetarët dhe mbështetjen e sipërmarrjes.

“Fieri, siç e meriton! Kemi një alternativë të qartë për një të ardhme më të mirë për çdo familje,” deklaroi Bardhi, i shoqëruar nga kandidati për bashkinë Fier, Ledion Çala dhe deputeti Luan Baçi.