
Federata Skoceze e Futbollit (SFA) ka vendosur të ndalojë gratë transgjinore të marrin pjesë në futbollin konkurrues të femrave, pas një përditësimi të udhëzimeve të saj, të përcjellë nga The Guardian. Vendimi do të hyjë në fuqi duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Sipas rregullave të reja, vetëm gratë biologjike do të lejohen të marrin pjesë në ndeshjet konkurruese të femrave, duke përfshirë që nga ndeshjet e grupmoshës nën 13 vjeç e lart.
Aktualisht, në Skoci rregullat e lejojnë pjesëmarrjen e grave transgjinore në futbollin e femrave, në bazë të një vlerësimi rast pas rasti dhe në varësi të niveleve të testosteronit. Por ky qëndrim ndryshoi pas një mbledhjeje të bordit të SFA-së javën e kaluar, dhe aktualisht po shqyrtohen çështje ligjore dhe të qeverisjes për zbatimin e plotë të këtij vendimi.
Aktualisht nuk ka futbolliste transgjinore të regjistruara në ligat e femrave në Skoci. Ndërkohë, SFA po zhvillon plane të reja për të rritur përfshirjen e komunitetit LGBTQ+ në sport.
Ky vendim vjen një javë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, e cila sqaroi se termi “grua” në Aktin për Barazinë (Equality Act) i referohet vetëm një gruaje biologjike. Vendimi i SFA-së pritet të ngjallë debat, pasi Gjykata e Lartë po reagonte ndaj përpjekjes së qeverisë skoceze për të zgjeruar përkufizimin e “gruas” për të përfshirë edhe gratë transgjinore.
Kryeministri i Skocisë, John Swinney, u bëri thirrje organizatave sportive këtë javë që të presin udhëzimet nga Komisioni për Barazi dhe të Drejtat e Njeriut përpara se të ndryshojnë politikat e tyre të përfshirjes.
Ndërkohë, Federata Angleze e Futbollit (FA) ka konfirmuar se do të vazhdojë të lejojë gratë transgjinore të luajnë në ligat e femrave, me kusht që ato të tregojnë nivele të ulëta të testosteronit për të paktën 12 muaj. Ky vendim prek rreth 20 lojtare transgjinore të regjistruara në Angli, dhe FA rezervon të drejtën të këshillohet me një komitet të posaçëm për pranueshmërinë e lojtarëve transgjinorë dhe jodualë në rast se ngrihen shqetësime.