
Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Pandeli Majko, ka komentuar situatën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në burg.
Majko, i cili ka qenë koleg politik me Metën si pjesë e PS-së, ka ndarë mendimet e tij mbi periudhën e kaluar dhe largimin e Metës nga Partia Socialiste për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Ai e përshkroi Metën si një figurë që ka “bërë shkollën e elefantëve”, por që, sipas tij, krijoi më pas “partinë e dhelprave”. Megjithatë, ai theksoi se, pavarësisht diferencave mes tyre, Meta mbetet shoku i tij i rinisë dhe dikush që e ka njohur për shumë vite.
Majko shprehu gjithashtu keqardhjen për situatën që po kalon Meta dhe theksoi se nuk do ia uronte askujt të përjetonte atë që ai ka kaluar, madje as armikut të tij më të egër.
I pyetur nëse ka tentuar të takohet me Ilir Metën në burg apo me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ai u përgjigj: “Nuk kam tentuar, jo se më mungon guximi, por mendoj se do kishte keqkuptime në korridoret e politikës.”