Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina raporton sulme me dronë nga Rusia pas përfundimit të armëpushimit të Pashkëve


Ukraina raportoi sulme me dronë nga Rusia në disa rajone gjatë natës, vetëm disa orë pas përfundimit të një “armëpushimi Pashkësh” 30-orësh të shpallur nga Moska, përcjell BBC.

Alarmin për sulme ajrore e dhanë forcat ajrore të Ukrainës për rajonin e Kiev, si dhe për Kherson, Dnipropetrovsk, Cherkasy, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia.

Në qytetin jugor të Mykolaivit, kryetari i bashkisë, Oleksandr Senkevych, tha se “u dëgjuan shpërthime”. Nuk ishte e qartë menjëherë nëse pati të lënduar.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se ka rinisur luftime, duke shtuar se ushtria e saj “ka respektuar rreptësisht armëpushimin dhe ka qëndruar në linjat dhe pozitat e mëparshme”.

Armëpushimi i shpallur nga Presidenti Vladimir Putin përfundoi në mesnatën e së dielës, ora 21:00 GMT. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit mijëra herë.

Herët të hënën, banorëve të disa qyteteve ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, u kërkua nga autoritetet lokale të shkonin menjëherë në strehime për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë.

Në rajonin e Kiev, autoritetet lokale thanë se forcat e mbrojtjes ajrore ishin “duke punuar për të goditur objektivat”.

Forca ajrore e Ukrainës gjithashtu raportoi një “rrezik raketash” për rajonet qendrore dhe tha se avionët luftarakë rusë ishin “aktivë në drejtimet veriore-lindore dhe lindore”.

Në një përditësim në Telegram, forca ajrore tha se Rusia ka lëshuar 96 dronë gjatë natës, si dhe ka goditur me dy raketa rajonin jugor të Mykolaivit dhe me një raketë Khersonin.

Në Mykolaiv, kreu i rajonit, Vitaliy Kim, tha pak pas kësaj se qyteti ishte sulmuar me raketa. “Nuk ka pasur viktima ose dëme,” shtoi ai.

Disa orë para përfundimit të armëpushimit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin nuk kishte dhënë urdhër për ta zgjeruar armëpushimin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.

BBC nuk ka verifikuar në mënyrë të pavarur pretendimet e Ukrainës dhe Rusisë.