
Benjamin Netanyahu përsëriti të shtunën se Izraeli nuk ka “asnjë zgjedhje” përveçse të vazhdojë luftën në Gaza dhe se nuk do ta përfundojë luftën pa shkatërruar Hamasin dhe pa liruar pengjet.
Kryeministri izraelit përsëriti gjithashtu zotimin e tij për të mos lejuar që Irani të bëhet me armë bërthamore.
Netanyahu po përballet me presion në rritje brenda vendit, jo vetëm nga familjarët e pengjeve dhe përkrahësit e tyre, por edhe nga rezervistë dhe ish-ushtarakë të ushtrisë izraelite që vënë në dyshim vazhdimin e luftës.
Në deklaratën e tij, ai pretendoi se Hamasi kishte refuzuar propozimin më të fundit të Izraelit për të liruar gjysmën e pengjeve në këmbim të një armëpushimi të zgjatur.
Ai foli pasi sulmet ajrore izraelite vranë më shumë se 90 persona në 48 orë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, përcjell The Guardian.
Trupat izraelite kanë shtuar sulmet për të ushtruar presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet dhe të çarmatoset.
Fëmijë dhe gra ishin mes 15 të vrarëve gjatë natës, sipas stafit spitalor.
Të paktën 11 prej tyre u vranë në qytetin jugor Khan Younis, disa në një tendë në zonën e Muwasit ku qëndrojnë qindra mijëra të zhvendosur, sipas punonjësve të spitalit. Izraeli e ka përcaktuar këtë zonë si “zonë humanitare”.
Të pikëlluarit përqafonin dhe puthnin fytyrat e të vdekurve. Një burrë përkëdheli ballin e një fëmije me gisht para se trupat të futeshin në qeset e zinxhirtuara. “Omar iku… do të doja të isha unë”, bërtiti një vëlla.
Katër persona të tjerë u vranë në Rafah, përfshirë një nënë dhe vajzën e saj, sipas Spitalit Evropian ku u dërguan trupat.
Më vonë gjatë së shtunës, një sulm ajror izraelit mbi një grup civilësh në perëndim të Nuseirat, në Gazën qendrore, vrau një person, sipas Spitalit al-Awda.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte vrarë më shumë se 40 militantë gjatë fundjavës.
Në një zhvillim të ndarë, ushtria konfirmoi se një ushtar izraelit ishte vrarë të shtunën në Gazën veriore. Ky ishte ushtari i parë që humb jetën që kur Izraeli rifilloi luftën më 18 mars.
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Qassam, deklaroi se kishte zënë pritë forcave izraelite që operonin në lindje të lagjes al-Tuffah në qytetin e Gazës.
Izraeli ka premtuar të intensifikojë sulmet në të gjithë Gazën dhe të mbajë të pushtuara përgjithmonë zona të mëdha “të sigurisë” brenda këtij territori të vogël bregdetar me më shumë se 2 milionë banorë. Hamasi kërkon që forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga territori.
Izraeli gjithashtu e ka mbajtur Gazën të rrethuar për gjashtë javët e fundit, duke ndaluar përsëri hyrjen e ushqimeve dhe mallrave të tjera.
Mijëra izraelitë morën pjesë në protesta të shtunën mbrëma, duke kërkuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Bëni atë që duhej ta kishit bërë shumë më parë. Sjellini të gjithë tani! Dhe me një marrëveshje të vetme. Dhe nëse kjo do të thotë të ndalet lufta, atëherë ndaleni luftën”, tha Omer Shem Tov, një ish-peng, gjatë një tubimi në Tel Aviv.