Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari i Shtetit Rubio dhe i dërguari i posaçëm i Trump, Witkoff, drejt Parisit për bisedime mbi luftën në Ukrainë


Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po udhëton drejt Parisit së bashku me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, për bisedime me zyrtarë europianë në funksion të synimit të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Vizita e diplomatëve të lartë amerikanë është planifikuar të zhvillohet nga data 16 deri më 18 prill, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit, përcjell France 24.

Zëdhënësja e qeverisë franceze, Sophie Primas, konfirmoi të mërkurën se Rubio dhe Witkoff do të zhvillojnë takime me diplomatë të lartë europianë, ndërsa burime diplomatike njoftojnë se presidenti francez Emmanuel Macron do t’i presë ata të enjten.

Megjithëse presidenti Trump ka ushtruar presion për një armëpushim në Ukrainë, përpjekjet e tij nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete. Sulmet me raketa ruse të dielën në qytetin ukrainas të Sumyt, ku mbetën të vrarë të paktën 35 persona, theksojnë vështirësinë për të bindur Moskën të pranojë një marrëveshje armëpushimi.

Kjo vizitë vjen disa ditë pasi Witkoff zhvilloi takimin e tij të tretë me presidentin rus Vladimir Putin javën e kaluar. Të hënën, Witkoff deklaroi se “po shfaqen mundësi për një marrëveshje paqeje”, pavarësisht mungesës së përparimit në negociatat për armëpushim.

Bisedimet në Paris ndodhin gjithashtu në të njëjtën kohë me kontaktet e rralla midis SHBA-së dhe Iranit mbi programin bërthamor të Teheranit, të zhvilluara të shtunën në Oman. Një raund tjetër bisedimesh është planifikuar për më 19 prill, sërish në Oman.