
Kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë një thirrje të fortë për diasporën shqiptare, duke theksuar rolin vendimtar që ajo ka në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Tabakut, shqiptarët jashtë vendit kanë një mundësi historike për të ndikuar në drejtimin që do të marrë vendi dhe për të zgjedhur zërin që do t’i përfaqësojë në Parlament.
“Diaspora shqiptare ka mundësinë historike për të vendosur se kush do të jetë zëri i tyre në Parlamentin e ardhshëm,” tha Tabaku, duke shtuar se kjo është një mundësi për të votuar për një Shqipëri me ekonomi dhe standarde europiane.
Ajo theksoi se vizioni i saj për të ardhmen nuk është vetëm pjesë e një fushate politike, por një besim i fortë në rrugën drejt Europës:
“Evropa për mua nuk është as slogan as retorikë politike, por një besim që do e çoj përpara çdo ditë në Parlamentin e ardhshëm.”
Në fund të mesazhit të saj, Tabaku u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë për Partinë Demokratike: “Me besimin tuaj, me votën tuaj, nesër, për një Shqipëri europiane, votoni Partinë Demokratike.”