Vendosni fjalën kyçe....

Partia opozitare e Turqisë rizgjedh kryetarin pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit


Partia kryesore opozitare në Turqi rizgjodhi të dielën kryetarin e saj, dy javë pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, i cili konsiderohet si rivali më i fortë i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Özgür Özel u rizgjodh në një kongres të jashtëzakonshëm të Partisë Popullore Republikane (CHP), të cilin ai e thirri për të parandaluar, siç tha vetë, një komplot nga ana e qeverisë për të emëruar një kujdestar politik në drejtimin e partisë, raportoi AP.

Arrestimi për akuza korrupsioni i kryebashkiakut opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka shkaktuar protesta masive kundër qeverisë. Imamoglu, që nga zgjedhja e tij në krye të Bashkisë së Stambollit në vitin 2019, ishte shndërruar në sfiduesin më serioz të sundimit 22-vjeçar të Erdogan, duke përmbysur një dominim shumëvjeçar të partive me orientim islamik konservator.

Opozita pretendon se akuzat ndaj Imamoglu janë të motivuara politikisht, ndërsa qeveria këmbëngul se gjyqësori vepron në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë që ndodhej në burg, Imamoglu u konfirmua si kandidati presidencial i CHP-së për zgjedhjet e planifikuara për vitin 2028 – ndonëse pritet që ato të zhvillohen më herët.

Özel deklaroi se vendosi ta thërriste kongresin e partisë më 21 mars, dy ditë pas arrestimit të Imamoglut dhe vetëm pak orë përpara se qeveria të emëronte kujdestarin e saj të pretenduar për partinë.

“Nuk patën guximin të përballeshin me ne përmes shërbimeve që ofrojmë. Në vend të kësaj, përdorën fuqinë e qeverisë për të frikësuar bashkitë dhe opozitën,” u shpreh Özel gjatë fjalimit në kongres. “Mendojnë se mund të qëndrojnë në pushtet duke polarizuar shoqërinë dhe duke nxitur konflikte të reja.”

Ish-kryeministri grek, George Papandreou, së bashku me një delegacion nga Partia e Socialistëve Evropianë në Parlamentin Evropian, vizituan të shtunën selinë e CHP-së për të shprehur mbështetje dhe solidaritet me “të gjithë ata që luftojnë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Turqi”. Mediat turke raportuan se Papandreou mori pjesë edhe në kongresin e së dielës.

Presidenti Erdogan dhe partia e tij në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), pësuan një humbje të rëndësishme në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, ku CHP ruajti kontrollin mbi qytete kyçe si Stambolli dhe Ankaraja, duke shënuar gjithashtu përfitime të mëdha në zona të tjera.

Që nga ajo kohë, shumë kryebashkiakë të zgjedhur nga CHP dhe nga Partia pro-Kurde për Barazi dhe Demokraci (DEM) janë shkarkuar dhe zëvendësuar me kujdestarë të emëruar nga qeveria, nën akuza për terrorizëm – akuza që partitë i kanë hedhur poshtë me forcë.