
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një fjalimi në Elbasan, u premtoi shqiptarëve se tre muajt e parë pas ndryshimeve të mëdha do të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët.
Ai theksoi se “paketa e dhembshurisë” do të mundësojë një minimum jetik prej 200 euro për çdo qytetar, si dhe rritje të pensioneve dhe pagave.
Berisha u shpreh se nuk do të ketë asnjë pensionist që do të marrë më pak se 200 euro, dhe se do të ndodhin rritje të ndjeshme të pagës minimale dhe mesatare.
“Ju uroj nga zemra këtë festë, më të lashtën dhe më të bukur, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës.
Dita e verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimist dhe më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit.
Kjo ditë frymëzon cdo shqiptar që më 11 maj të ndahet ngfa ky regjim që i varfëroi ata deri në palcë.
Unë sot nga Elbasani u premtoj shqiptarëve se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë do të nxjerrë cdo shqiptar nga varfëria ekstreme.
Do të kenë një minimum jetik prej 200 euro. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin, pavarësisht nëse ka apo jo pension, pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm.
Do ketë një rritje 20% të pensioneve, do ketë rrogë minimale jo më pak se 500 euro, do këtë rrogë mesatare 1200 euro.
Nuk do ndalim vrapin derisa të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon”, tha Berisha.