Vendosni fjalën kyçe....

Pronarët denoncojnë aksionin e IKMT-së në Shkodër: I paligjshëm, dëmshpërblimet qesharake


Disa nga pronarët, pronat e të cilëve preken nga aksioni i IKMT-së në Shkodër për projektin e hyrjes së qytetit kanë akuzuar institucionin se po vepron me vendim të paligjshëm.

Ata kanë pohuar se prishja e pronave të tyre po bëhet pa asnjë interes publik pasi aty planifikohen të mbillen pemë. Tjetër shqetësim që kanë ngritur ata është se shpronësimet kanë vlera qesharake duke paralajmëruar se do e çojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut, raporton News24.

“Këtu jemi në një pronë që po prishet me një vendim të pashembullt kur gjykata ka caktuar nesër një seancë për vlerësimin e kësaj prone, që të ketë vlerësim real tregu. IKMT ka ardhur dhe ka prishur pronën me një vendim të paligjshëm. Kjo është absurd sepse i gjithë projekti këtu nuk ka interes publik. Kjo zonë do shembet për t’u mbjellë disa pemë. Shpronësimet janë në vlera qesharake.” – tha avokati Fabion Murrizi, që përfaqëson njërin prej pronarëve të prekur.

Ndërsa pronari i një biznesi tha se ndërhyrja e IKMT-së është krejt e paligjshme duke qenë se nuk ka zbatuar vendimi e gjykatës ndërsa e quajti dëmshpërblimin qesharak.

IKMT ka prishur 10 objekte në hyrje të qytetit të Shkodrës të cilat janë me certefikata pronësie por pritet të marrin shpronësimet në një vlerë totale prej afro 4 milion euro. Ndërkohë më herët IKMT ka shembur edhe 11 objekte të tjera pa leje në funksion të projektit të hyrjes së Shkodrës.