
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po udhëton drejt Arabisë Saudite për një takim të rëndësishëm me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, në një moment kur Ukraina po përballet me trysni të madhe si në fushëbetejë ashtu edhe në arenën diplomatike.
Zelenskyy do të zhvillojë bisedime me princin saudit, qeveria e të cilit ka luajtur një rol ndërmjetësues mes Ukrainës dhe Rusisë.
Megjithatë, ai nuk do të marrë pjesë në bisedimet e mëvonshme të udhëhequra nga Arabia Saudite mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë që do të mbahen këtë javë.
Donald Trump ka ushtruar presion mbi Zelenskyn që të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Javën e kaluar, presidenti amerikan shtoi trysninë duke ndaluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Ukrainën.
Pas tërheqjes së mbështetjes nga aleati kryesor, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre, duke lëshuar raketa balistike dhe duke tentuar të rrethojnë mijëra trupa ukrainase që kanë mbajtur një pozicion në rajonin rus të Kurskut për shtatë muaj radhazi.
Të martën, një delegacion ukrainas i udhëhequr nga shefi i stafit të Zelenskyy-t, Andriy Yermak, do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Ky është takimi i parë zyrtar që nga debati i ashpër mes Trump dhe Zelenskyy në Zyrën Ovale, sipas The Guardian.
Administrata e Shtëpisë së Bardhë e ka prezantuar politikën e Trump ndaj Ukrainës si një përpjekje për të arritur një “paqë të qëndrueshme”, por ai ka ushtruar kryesisht presion mbi Zelenskyy për të dhënë qasje në pasuritë minerale të Ukrainës për SHBA-në.
Pas krizës në Zyrën Ovale, Zelensky ka kërkuar të përmirësojë marrëdhëniet me Trumpin dhe është shprehur i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për burimet minerale, edhe pse mbetet e paqartë nëse do të sigurojë garanci sigurie nga SHBA-ja, të cilat Kievi i konsideron jetike për të parandaluar një pushtim të ardhshëm rus.
Zelensky nuk do të marrë pjesë personalisht në bisedimet e së martës, por delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
“Ne jemi të angazhuar për një dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të biem dakord mbi vendimet dhe hapat e nevojshëm,” tha Zelensky në një postim në X. “Propozimet reale janë mbi tryezë. Çelësi është të veprojmë shpejt dhe në mënyrë efektive.”
Pala ukrainase pritet të propozojë një plan paqeje që përfshin ndalimin e sulmeve me dronë dhe raketa, si dhe pezullimin e aktiviteteve ushtarake në Detin e Zi.
Zelensky e ka cilësuar këtë propozim si një “test për angazhimin e Rusisë për t’i dhënë fund luftës”, por deri më tani, Vladimir Putin nuk ka treguar interes për një armëpushim.
Ndërkohë, trupat ukrainase vazhdojnë të përballen me presion të madh.
Të hënën, rojet kufitare ukrainase raportuan se forcat ruse po përpiqeshin të hapnin një front aktiv luftimi në rajonin verilindor të Sumyt, pranë kufirit me Kurskun.
“Kemi vërejtur se në drejtim të Novenkes, armiku po përpiqet ende të krijojë një zonë aktive luftimi brenda territorit të Ukrainës dhe të konsolidojë pozitat e tij atje,” tha zëdhënësi i rojeve kufitare, Andriy Demchenko, për televizionin kombëtar ukrainas.
Në Kursk, trupat ruse po përpiqen gjithashtu të rrethojnë qytetin rus Sudzha, i cili mbahet nga forcat ukrainase. Të dielën, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishte zmbrapsur një sulm të jashtëzakonshëm të forcave ruse, të cilat përdorën një tubacion gazi për të depërtuar në qytet.
Rreth 100 ushtarë rusë kaluan katër ditë duke u zvarritur në një tubacion gazi 15 kilometra të gjatë për të arritur në rrethinat e Sudzhës.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev deklaroi se forcat ukrainase ishin “pothuajse të rrethuara” dhe se do të detyroheshin të tërhiqeshin. “Kapaku i kazanit të tymosur po mbyllet. Ofensiva vazhdon,” shkroi ai në Telegram.
Trump sugjeroi gjatë fundjavës se Ukraina mund të mos mbijetojë në luftën kundër Rusisë, edhe nëse merr ndihmë nga SHBA-ja.
Në një intervistë për Fox News, duke mbrojtur vendimin e tij për të ndërprerë mbështetjen për Kievin, ai tha: “Epo, ndoshta nuk do të mbijetojë gjithsesi.”
Ai gjithashtu akuzoi Zelensky-n se kishte marrë ndihma financiare nga SHBA gjatë administratës Biden “si t’i merrje karamele një fëmije”.
Megjithatë, ai e përshkroi presidentin ukrainas si “të zgjuar” dhe “të ashpër”.