
Më shumë se 80 gra afgane, të cilat u larguan nga sundimi i Talibanëve për të ndjekur arsimin e lartë në Oman, tani përballen me dëbim të menjëhershëm në Afganistan, pas ngrirjes së fondeve të ndihmës nga administrata Trump.
Të financuara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), bursat e tyre u anulluan papritur pasi presidenti Donald Trump urdhëroi pezullimin e fondeve pas rikthimit të tij në detyrë në janar.
“Ishte shkatërruese,” tha një studente për BBC, duke folur në mënyrë anonime nga frika e hakmarrjes. “Të gjitha ishim të tronditura dhe duke qarë. Na është thënë se do të na dërgojnë përsëri brenda dy javësh.”
Që kur u kthyen në pushtet gati katër vjet më parë, talibanët kanë vendosur kufizime të ashpra ndaj grave, duke i ndaluar ato të ndjekin universitetin.
Fondet e USAID-it u kishin dhënë mundësinë mijëra grave afgane të studionin jashtë vendit ose të vazhdonin mësimin në internet, por shumë prej këtyre programeve tani janë pezulluar.
Ngrirja e ndihmave nga administrata Trump është përballur me sfida ligjore, por mijëra programe humanitare në mbarë botën janë ndërprerë ose janë vënë në rrezik, ndërsa Shtëpia e Bardhë synon të shkurtojë miliarda dollarë nga shpenzimet qeveritare.
Studentet në Oman thonë se tashmë po bëhen përgatitjet për t’i kthyer ato në Afganistan dhe i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërhyrje urgjente.
BBC ka parë emailet e dërguara për 82 studentet, ku njoftohen se bursat e tyre janë “ndërprerë” për shkak të pezullimit të programit dhe fondeve të USAID-it.
Në emaile thuhet se lajmi do të jetë “thellësisht zhgënjyes dhe shqetësues”, ndërsa përmenden planet e udhëtimit për t’i rikthyer në Afganistan, gjë që ka shkaktuar panik tek studentet.
“Na nevojitet mbrojtje e menjëhershme, ndihmë financiare dhe mundësi zhvendosjeje në një vend të sigurt ku mund të vazhdojmë shkollimin,” tha njëra nga studentet.
Gratë afgane në Oman po ndiqnin studimet pasuniversitare nën programin Women’s Scholarship Endowment (WSE), një iniciativë e USAID-it e nisur në vitin 2018 për të mbështetur studimin e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM) – disiplina të ndaluara për gratë nga talibanët.
Rreth një javë më parë, studentet u informuan për pezullimin e bursave të tyre.
Shumica e këtyre grave, në të 20-at e tyre, fituan bursat në vitin 2021, para se talibanët të merrnin kontrollin e Afganistanit. Disa vazhduan studimet në universitete afgane deri në dhjetor 2022, kur talibanët ndaluan arsimin e lartë për gratë.
Pas 18 muajsh në pasiguri, ato u larguan drejt Pakistanit në shtatorin e kaluar, ndërsa USAID më pas mundësoi vizat e tyre për Oman, ku mbërritën midis tetorit dhe nëntorit 2024.
“Nëse na kthejnë, do të përballemi me pasoja të rënda. Do të thotë të humbasim të gjitha ëndrrat tona,” tha një studente. “Nuk do të mund të studiojmë dhe familjet tona mund të na detyrojnë të martohemi. Shumë prej nesh gjithashtu mund të jenë në rrezik personal për shkak të angazhimeve tona të mëparshme dhe aktivizmit.”
Talibanët kanë shtypur me dhunë protestat e grave për të drejtën për arsim dhe punë.
Gratë në Afganistan e përshkruajnë veten si “trupa të vdekur që lëvizin” nën politikat brutale të regjimit.
Talibanët pretendojnë se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për çështjen e arsimit të grave, por njëkohësisht mbrojnë urdhrat e liderit suprem të tyre, duke thënë se ato janë “në përputhje me ligjin islamik të Sheriatit”.
Muajin e kaluar, zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, fajësoi administratën e mëparshme për situatën e grave afgane, duke i thënë Washington Post: “Gratë afgane po vuajnë sepse tërheqja katastrofike e Joe Biden i dha mundësinë talibanëve të imponojnë politika mesjetare të Sheriatit.”
Megjithatë, vendimi për të ndërprerë financimet e ndihmës amerikane u mor nga administrata Trump dhe u zbatua nga Departamenti për Efiçiencën e Qeverisjes, drejtuar nga Elon Musk.
Këto gra tani përballen me një të ardhme të zymtë, duke kërkuar me urgjencë një zgjidhje para se të jetë tepër vonë.