
Në fillim të fjalimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Parlament, gjatë debatit për një mocion mosbesimi mbi trajtimin nga qeveria të katastrofës hekurudhore me 57 viktima, protestuesit në hollin e vizitorëve hodhën fletushka dhe brohoritën me zë të lartë “fajtor”, duke ndërprerë shkurtimisht seancën.
Fletushkat shfaqnin pamje të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ish-ministrit të Transportit Kostas Karamanlis dhe ish-zëvendësministrit për Krizat dhe Mbrojtjen Civile Christos Triantopoulos, me mesazhet “ju jeni fajtor” dhe “largoheni”.
Protesta ndodhi pikërisht kur Mitsotakis filloi të fliste, duke shkaktuar një bujë të shkurtër ndërsa disa deputetë reaguan me zë, shkruan Kathimerini.
Kryetari i Kuvendit Nikitas Kaklamanis bëri thirrje për rregull dhe udhëzoi zyrtarët parlamentar që të largojnë protestuesit.

“Këto gjëra ndodhin,” vuri në dukje Mitsotakis, duke e minimizuar incidentin ndërsa oficerët e parlamentit ndërhynë për të larguar protestuesit.
“Ngjarja do hetohet. Pak aktivizim në Parlament nuk do prishë rrjedhën e debatit tonë”, shtoi kryeministri.
Sipas një njoftimi të Majtës së Re, protesta është zhvilluar nga studentët, mes tyre edhe anëtarë të së Majtës së Re.
Ndërkohë, mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin Sintagma, jashtë Parlamentit, për të protestuar kundër trajtimit të fatkeqësisë së Tempes. Kjo demonstratë është e radhës në një seri protestash që filluan të premten e kaluar në të gjithë Greqinë për këtë çështje.