
Kreu i PD-së Berisha u ka bërë thirrje nxënësve të shkollave që të braktisin mësimin dhe të protestojnë kundër vendimit të qeverisë për të mbyllur TikTok-un.
Po kështu ai paralajmëroi shkollat që të mos guxojnë të marrin asnjë masë ndaj nxënësve që do braktisin mësimin, në të kundër do përballen me pasojat më të rrepta ligjore.
“U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët në shkollë orën e parë, si një akt i betejës së fëmijëve tuaj për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës. Nuk do guxojë shkollë, apo mësues të marrë masa ndaj jush, do përballen me pasojat më të rrepta ligjore, e drejta e grevës është e drejtë kushtetuese”, tha Berisha.
Një ditë më parë, ministrja e Arsimit Manastirliu njoftoi se TikTok do mbyllej përkohësisht për një vit ndërkohë që do bashkëpunohet me kompaninë për të mundësuar vendosjen e filtrave për ta bërë aplikacionin të sigurt veçanërisht për të miturit dhe adoleshentët.