
Vladimir Putin dhe Yuri Ushakov
Vladimir Putin po mbledh një ekip të “peshave të rënda” me dekada përvojë në negociatat e nivelit të lartë për t’u përballur me përfaqësuesit e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje të mundshme që doi jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ekipi përfshin Yuri Ushakov, këshilltarin e tij kryesor për politikën e jashtme, i cili ka më shumë se gjysmë shekulli në diplomaci, dhe kryespiunin e tij, Sergei Naryshkin, i cili shërbeu me Putinin në KGB-në Sovjetike, sipas njerëzve të njohur me prapaskenat, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin duke qenë se bëhet fjalë për të dhëna të ndjeshme e të fshehta.
Kirill Dmitriev, një financier i arsimuar në Stanford dhe Harvard me lidhje me familjen e presidentit rus, mund të luajë një rol kyç si një kanal jozyrtar mbështetës me negociatorët e Trump, thanë njerëz të njohur me përgatitjet.
Fakti që Putini po zgjedh të mbështetet kryesisht në negociatorë shumë të aftë dhe me përvojë për të përfaqësuar Rusinë në çdo bisedë nuk është surprizë. Përzgjedhja e personelit nënvizon se sa i vendosur është kreu rus për të siguruar një rezultat të favorshëm në çdo negociatë dhe potencialisht sa pak kanë ndryshuar kërkesat e tij në lidhje me Ukrainën në tre vitet që kur ai urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të vendit.
Shtimi i Dmitriev, i cili ka përvojë në SHBA me kompani si McKinsey & Co. dhe Goldman Sachs Group, tregon se Putini është i gatshëm të përshtatet në marrëdhëniet e tij me presidentin e SHBA-ve.
Në të kundërt, ekipit të Trump i mungon e njëjta thellësi për Ukrainën dhe ka pak përvojë në negociatat drejtpërdrejt me Rusinë. Me rrugën drejt një marrëveshjeje ende shumë të pasigurt dhe Putinin që nuk tregon asnjë shenjë për të ofruar lëshime të rëndësishme, ato mund të jenë çështjet kryesore në tryezën e negociatave.
Ushakov, 77 vjeç, ka shërbyer si ndihmës i Putinit për më shumë se një duzinë vjet dhe më pare ka qenë ambasador në SHBA në vitet 1998-2008, duke i dhënë atij njohuri të thella për marrëdhëniet me Uashingtonin. Naryshkin, 70 vjeç, është një i besuar prej kohësh i kreut rus, pasi ka punuar me të për më shumë se katër dekada.
Ushakov “e njeh mirë establishmetnin amerikan dhe ka ndikim të madh në Moskë”, tha Andrey Sushentsov, dekan i Shkollës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin MGIMO në kryeqytetin rus.
“Ai është personi më i mirë për negociatat e mëdha në kuptimin klasik.”
Naryshkin u tha gazetarëve të enjten se Kremlini tashmë kishte urdhëruar vijimësinë e kontaktit me shërbimet speciale amerikane pas telefonatës së së mërkurës midis Trump dhe Putinit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
Të dy Ushakov dhe Naryshkin ishin të përfshirë në bisedimet e hershme të armëpushimit me Ukrainën menjëherë pasi Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë në 2022.

Sergei Naryshkin, në një foto të publikuar nga media shtetërore ruse
Një zëdhënës i Kremlinit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Ekipi rus mund të jetë në vështirësi kur ka të bëjë me një bashkëbisedues më të paparashikueshëm si Trump, idetë më të paparashikueshme të të cilit dhe sulmet e herëpashershme janë një shkëputje e fortë nga linja e administratës së mëparshme”, tha Emily Ferris, një studiuese e lartë në departamentin e Studimeve të Sigurisë Ndërkombëtare në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.
“Kjo e vendos Rusinë në pozitën më të pakëndshme për të menduar për skenarë që mund të mos i kishin marrë në konsideratë më parë,” tha ajo.
Dmitriev, 49 vjeç, ishte përfshirë tashmë në negociatat për lirimin e mësuesit ameirkan Marc Fogel nga një burg rus këtë muaj, tha një nga njerëzit e njohur. I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Steve Ëitkoff kishte lënë të kuptohet po aq, duke u thënë gazetarëve këtë javë se “një zotëri nga Rusia” me emrin Kirill ishte i rëndësishëm në proces.
Përfshirja e tij “sugjeron që Kremlini e sheh atë shkëmbim si një gjest vullneti të mirë që lidhet me negociatat më të gjera të Ukrainës”, tha Ferris.
“Rusia po luan një lojë më pragmatike dhe po përpiqet të ketë dikë në ekipin e saj që mund të ‘bisedojë çështje biznesi’ me ekipin Trump”.
Dmitriev ka lindur në Kiev dhe pas qëndrimit të tij me McKinsey dhe Goldman Sachs, ai u kthye në Rusi për të punuar në një fond të kapitalit privat. Ai drejton fondin e pasurisë sovrane të Rusisë që nga viti 2011.
Ai ka “përvojë të gjerë në lidhjen e marrëveshjeve me partnerë të huaj biznesi,” tha Sushentsov.
Shërbimi i tij i shtypit nuk pranoi të komentojë përfshirjen e Dmitriev në bisedimet e mundshme të paqes.

Kirill Dmitriev
Dmitriev është sanksionuar nga SHBA-të, të cilët e quajtën atë “një aleat të afërt të Putinit”. Ai është i martuar me një të njohur të ngushtë të vajzës më të vogël të Putinit dhe të dy gratë kanë punuar së bashku në një qendër inovacioni. Jashtë Rusisë, ai mund të njihet më së miri si promovuesi kryesor i vaksinës ruse të Covid-19, Sputnik V.
Ai u përmend në një raport të lëshuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Müller për përpjekjet e tij “për të ndërhyrë” në administratën e atëhershme Trump pas zgjedhjes së tij herën e parë.
Dmitriev gjithashtu ka një rrjet lidhjesh në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Arabinë Saudite, vendi i cili sipas Trump tha se mund të presë takimin e tij me Putinin.
Në vitin 2019, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman i dha financierit rus “Urdhrin e Meritës së Klasit të Dytë të Mbretit Abdulaziz”, çmimi më i lartë i Mbretërisë. Dmitriev gjithashtu shoqëroi Putinin në vizitën e tij në Abu Dhabi dhe Riad në 2023.
Anëtarët e tjerë të ekipit negociator të vitit 2022 gjithashtu mund të ribashkohen me grupin në një datë të mëvonshme. Ata do ndihmonin kryesisht në çdo bisedë me përfaqësuesit ukrainas, sipas një personi të afërt me Kremlinin, dhe mund të përfshinin ndihmësin presidencial Vladimir Medinsky.
Medinsky, ashtu si Dmitriev, ka lindur në Ukrainë. Ai ka pasur një karrierë prej dekadash në shërbimin shtetëror që përfshin të qenit bashkëautor i një libri historie që do përdorej në shkollat ruse pas pushtimit të Ukrainës që akuzon Perëndimin se kërkon të destabilizojë Rusinë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani