
Udhëheqësit botërorë do jenë në Poloni të hënën për të shënuar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Gjermanisë naziste Aushvic-Birkenau.
Monarku i Britanisë, Mbreti Charles, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron janë ndër ata që do marrin pjesë në këtë ngjarje, e cila do fillojë në një tendë të ngriturpranë portës së hyrjes famëkeqe të ish-kampit të vdekjes.
Të gjithë të mbijetuarit e mbetur të Aushvicit janë të ftuar në përkujtimore.
Michael Bornstein, i cili mbijetoi për shtatë muaj brenda Aushvicit kur ishte fëmijë, tha se “nuk do jetë aspak e lehtë rikthimi aty”.
Një nga simbolet e 80-vjetorit është një vagon treni mallrash, i cili do vendoset drejtpërdrejt përballë portës kryesore. Vagoni i trenit i kushtohet kujtimit të rreth 420,000 hebrenjve hungarezë që u dëbuan në Aushvic.
Përafërsisht 1.1 milion njerëz u vranë në kampin e përqendrimit nga viti 1940 deri në vitin 1945, shumë prej tyre hebrenj, por edhe viktima të tjera të Rajhut të Tretë, përfshirë polakët, romët dhe të burgosurit e luftës sovjetike.
Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në vitin 2005. E përkujtuar çdo vit, ajo shënon çlirimin e Aushvicit në 1945 dhe kujton gjashtë milionë hebrenjtë që humbën jetën nën nazistët.
